Lajme

Protestë kundër masave anti-COVID, për një ditë muzetë holandeze shndërrohen në floktore


Galeritë e më shumë se 70 muzeumeve dhe institucioneve kulturore në Holandë, të mërkurën e 19 janarit u shndërruan në sallone për rregullimin e thonjve, flokëve apo salla joge.

Në fakt, sipas organizatorëve, kjo ishte një protestë ndaj kufizimeve të paqëndrueshme të qeverisë për COVID-19.

“Sipas rregullave, teatrot, baret, kafenetë dhe muzetë duhet të mbeten të mbyllura, ndërsa sallonet e flokëve apo të thonjve dhe palestrat lejohen të hapen”, raporton Anna Holligan.

Institucionet dhe vendet kulturore janë mbyllur, qëkur vendi hyri në një karantinim kombëtar në dhjetor, si kundërpërgjigje ndaj rritjes së rasteve me COVID-19.

Aktorët shfaqen duke performuar në skenën e improvizuar, ndërsa dy persona presin flokët.

Edhe pse numrat e rasteve të infeksionit arritën në nivele rekord, qeveria holandeze ka vendosur lehtësimin e disa nga kufizimet e saj të bllokimit javën e kaluar.

Sektori holandez i artit, ende i kufizuar nga hapja për publikun, u përgjigj me një akt të koordinuar të mosbindjes civile.

Në Muzeun “Van Gogh”, manikyristët krijuan dizajnë të thonjve të frymëzuar nga pemët e lulëzuara të piktorit impresionist dhe qiejt me yje të natës.

Në sallën mbretërore të koncerteve të Amsterdamit, berberët ofruan prerje flokësh gjatë provave të orkestrës.

Ndërkohë, klientët e Muzeut të Amsterdamit rrokullisnin dyshekë yoga pranë pikturave të çmuara, ndërsa aktorët interpretonin shfaqje në korridore, raporton Tessa Solomon për “ARTnews”.

Organizatorë të protestës ishin artistët Sanne Wallis de Vries dhe Diederik Ebbinge.

Në faqen e internetit të ngjarjes, ata e cilësuan protestën njëditore si “një iniciativë lozonjare për të tërhequr vëmendjen ndaj situatës së rëndë kundrejt sektorit kulturor”.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore