Sport

Presidenti i KOKSH-it, Ylli, pret kampionët shqiptar të boksit


Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli, ka pritur në një takim gjatë kësaj të marte sportistët shqiptar që u shpallën kampion në boks në arenën ndërkombëtare.

Alban Beqiri, Denis Nurja dhe Ariol Zeneli janë tre boksierët që ngritën lartë flamurin kuqezi. Përkatësisht, Beqiri fitoi medaljen e bronzit në Kampionatin Botëror të Boksit, Nurja u shpall Kampion i Ballkanit dhe Zeneli medalist i bronzt në Kampionatin Evropian të Boksit U-18.

Sportistët shoqëroheshin nga trajnerët e tyre Sead Bushati, Renato Kurti dhe Gezim Zeneli. Të pranishëm në takim ishin edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit (FSHBo), Florend Kalivopulli dhe Sekretari i Përgjithshëm i KOKSH-it, Gerti Shima.

KOKSH ka ndarë në mediat sociale çaste nga takimi dhe ka deklaruar se “Fokusi i këtij takimi ishte mbështetja e këtyre sportistëve në të ardhmen me anë të projekteve të përbashkëta me FSHBo, për të rritur dhe zhvilluar më tej cilësinë sportive”.

“Sportistët u shprehën të motivuar për të vijuar më tej ndërsa kërkuan më shumë mbështetje në gara të ndryshme kualifikuese”, vijon më tej postimi i KOKSH-it.

Presidenti Ylli ka shpërndarë Certifikata Vlerësimi për arritjet e boksierëve, ndërsa u tha se KOKSH-i do të jetë në mbështetje të tyre përsa i përketë trajnimeve dhe financimeve. Ndaj dhe i ftoi që të hartonin një plan të mirëfilltë me kërkesat e tyre dhe më pas ta paraqisnin te KOKSH-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore