Lajme

Ponosh: Vuçiç bëri vetëvrasje në Veri, serbët u kthyen në shtëpitë e tyre duarbosh


Aleksander Vucic dhe Zdravko Ponosh

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Zdravko Ponosh, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili të premten deklaroi se Ponosh s’bleu kurrë as edhe një plumb të vetëm.

Ponosh, në një prononcim për gazetën opozitare serbe “Nova”, tha se Vuçiç ka hyrë në një fazë vetëvrasjeje politike, pasi njëherë i urdhëroi serbët të ngrisin barrikada në Veri të Kosovës pastaj i ktheu në shtëpitë e tyre pa marrë asgjë.

“Aleksandër Vuçiç vrau veten për ta paraqitur debaklin e politikës së tij për Kosovën si fitore. Sidomos në këtë fazë të vetëvrasjes në të cilën ai i zhvendosi serbët nga institucionet në barrikada, dhe pastaj i ktheu në shtëpi duarbosh”.

“Vuri gozhdën në arkivolin në të cilin varrosi kapacitetin e serbëve në Kosovë për t’u organizuar politikisht dhe për të luftuar për të drejtat e tyre dhe i tradhtoi sërish”, shtoi ai.

Ndryshe, pas gati një muaji serbët kanë larguar barrikadat të cilat i kishin vendosur më 10 dhjetor në shenjë revolte pasi autoritetet kosovare patën arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiç, i cili akuzohet për sulmin terrorist të 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Megjithatë, lirimi Pantiç-it dhe dërgimi i tij në arrest shtëpiak nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ishte ngjarja që i parapriu vendimit të Vuçiç-it për të urdhëruar largimin e barrikadave.

Nga kazerma ushtarake në Rashkë, ku zhvilloi takim me përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës, ai pretendoi se tashmë i kanë të gjitha garancitë që kanë kërkuar, derisa për cilësimin e barrikadave si mjet paqësor nga ndërkombëtarët tha se ka bërë “luftë gjithë natën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore