Lajme

Policia mbështet gazetarët në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit


Ilustrim.

Policia e Kosovës, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka theksuar edhe një herë përkrahjen dhe bashkëpunimin e Policisë si institucion ndaj mediave dhe gazetarëve në përgjithësi.

Ndërsa, ka uruar që mediat dhe gazetarët të vazhdojnë të realizojnë punën e tyre në mënyrë të pa cenueshme.

”Duke njohur sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen gazetarët dhe mediat në realizimin e detyrave të tyre, Policia e Kosovës me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, shpreh mbështetjen ndaj tyre dhe uron që mediat dhe gazetarët të vazhdojnë të realizojnë punën e tyre në mënyrë të pa cenueshme dhe profesionale në interes të qytetarëve dhe vendit”, thuhet në njoftim.

PK-ja ka shtuar se do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë për mediat dhe gazetarët në aspektin e sigurisë.

”Si institucion i zbatimit të ligjit edhe në të kaluarën, por edhe tani jemi të përkushtuar në ofrimin e ndihmës në aspektin e sigurisë dhe bashkëpunimit me mediat dhe gazetarët, në mënyre që të ju krijohet një ambient më i mirë dhe më i sigurt në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre ndaj shoqërisë dhe vendit”, është shkruar në njoftimin e Policisë.

Polica e Kosovës.

Policia e Kosovës, është shprehur se do të vazhdojë të bashkëpunojë fuqishëm me mediat në kultivimin dhe avancimin e mëtejmë të lirisë së shtypit.

Ndryshe, liria e medias në Kosovë konsiderohet më pozitive sesa vitet e kaluara por megjithatë ky shtet vazhdon të mbetet në listën e vendeve me “situatë problematike”.

Organizata Reporterët pa Kufij së fundi kanë publikuar indeksin e Lirisë së Shtypit Botëror, ku Kosova shihet të ketë shënuar përparim në këtë drejtim.

Këtë vit, Kosova radhitet në vendin e 61-të, ose 18 vende më lart sesa vitin e kaluar, ku ishte e radhitur në pozitën e 87-të.

Trendi i rritjes vjen pas rënies që ka shënuar vitin e kaluar – për tetë pozita – në krahasim me renditjen e vitit 2020.

Por, edhe përkundër përparimit, Kosova vazhdon të mbetet në mesin e vendeve me “situatë problematike”, siç e vlerësojnë Reporterët pa Kufij.

Prej tyre, ngjashëm si Kosova, përparim kanë shënuar: Maqedonia e Veriut në pozitën e 57-të nga 90, Serbia në pozitën 79 nga 93 dhe Mali i Zi në pozitën 63 nga 104.

Shqipëria ka pësuar përkeqësim – nga pozita 83 ku ka qenë vitin e kaluar, në pozitën 103.

Ngjashëm edhe Bosnje e Hercegovina: vitin e kaluar ka qenë në pozitën 58, sivjet në 67.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore