Lajme

Pjesëmarrje masive në tubimin qendror të Frontit Evropian në Tetovë


Mijëra qytetarë ia kanë mësyrë sheshit “Iliria” në qendër të Tetovës ku pritet të mbahet tubimi përmbyllës i “Frontit Evropian” tri ditë para zgjedhjeve parlamentare dhe raundit të dytë të atyre presidenciale në Maqedoni të Veriut.

Të parët qytetarë që kanë mbërritur kanë qenë një grup të rinjsh që mbanin në duar një pano të madhe, ku shiheshin dy ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, me mbishkrim: “Dielli do të lindë përsëri”.

Po ashtu simpatizantët e “Frontit Evropian” po mbajnë në duar flamujt kuq e zi, derisa nën tingujt e këngëve patriotike në shesh vazhdojnë që të mblidhen për tubimin final.

Gjatë gjithë fushatës parazgjedhore, liderët e “Frontit Evropian” kanë theksuar se janë të bindur për fitore, derisa kanë premtuar se posa të vijnë në pushtet, do të angazhohen për ndryshimet kushtetuese, në mënyrë që vendit t’i hapet rruga për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Madje kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), udhëheqësi i “Frontit Evropian”, Ali Ahmeti, e ka paralajmëruar liderin e koalicionit “VLEN”, Bilall Kasamin që më 8 maj, pra ditën e zgjedhjeve parlamentare, të dorëzohet, pra ta pranojë humbjen.

“E kam paralajmëruar Bilallin, në realitet trajnerin e Bilallit, më 8 maj ta hedh peshqirin e bardhë në ring, të mos marrë nokaut klasik”, tha Ahmeti në një tubim.

Një anketë e realizuar mes 29 dhe 30 prillit të këtij viti nga Insituti i Prishtinës për Studime të Opinionit Publik (PIPOS), rezultatet e të cilit u publikuan në televizionin “Klan Kosova” zbuloi se rreth 70 për qind e respodentëve shqiptarë do të votojnë për koalicionin “Fronti Evropian” në zgjedhjet parlamentare.

Bazuar në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që u mbajt më 24 prill, zgjedhjet pritet të fitohen nga VMRO DPMNE-ja, e cila ka një qëndrim të fortë kundër ndryshimeve kushtetuese me arsyetimin se ato janë hartuar sipas “diktatit bullgar” dhe dëmtojnë interesat kombëtare maqedonase.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore