Aplikacione

Përpjekja e Evropës për standardin e inteligjencës artificiale, rrugë të gjatë përpara


Në Evropë, përpjekja për të vendosur një standard për inteligjencën artificiale ka të ngjarë të marrë më shumë se një vit.

Dy ligjvënës kryesorë kanë thënë se kjo vjen në vazhdën e debatit të përqendruar në temën nëse njohja e fytyrës duhet të ndalohet dhe se kush duhet t’i zbatojë rregullat.

Vitin e kaluar, Komisioni Evropian propozoi rregullat e inteligjencës artificiale, duke kërkuar të marrë drejtimin në një teknologji kyçe të dominuar nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo erdhi pasi pandemia theksoi rëndësinë e algoritmeve dhe pajisjeve të lidhura me internetin në jetën e përditshme të njerëzve, tregon agjencia e lajmeve “Reuters”.

Mirëpo, ekzekutivi i BE-së duhet ta negociojë propozimin me Parlamentin Evropian dhe vendet e BE-së përpara se të përfshihet në legjislacion.

Pritet që parlamenti të bjerë dakord për një qëndrim të përbashkët në nëntor, duke nisur bisedimet me vendet e BE-së, bisedime që mund të zgjasin një vit e gjysmë.

Të paktën kështu ka bërë me dije Dragos Tudorache, një nga dy ligjvënësit që drejtojnë këtë çështje.

Për të, njohja e fytyrës është një temë kryesore.

Komisioni dëshiron të lejojë përdorimin e saj nga forcat e rendit në sulme terroriste dhe krime të rënda. Por aktivistët e të drejtave civile kanë frikë se kjo mund të lehtësojë diskriminimin dhe mbikëqyrjen nga qeveritë dhe kompanitë.

“Njohja e fytyrës do të jetë diskutimi më i madh ideologjik midis të djathtës dhe të majtës”, ka ravijëzuar Tudorache.

Përpos kësaj, ai ka shtuar se nuk beson në një ndalim të plotë. “Për mua zgjidhja është vendosja e rregullave të duhura”, ka thënë ai.

Kurse ligjvënësi Axel Voss, i cili po shqyrton kuadrin ligjor, ka rënë dakord që njohja e fytyrës duhet të lejohet me masa mbrojtëse.

Teksa komisioni dëshiron që autoritetet kombëtare të zbatojnë rregullat, Tudorache ka thënë se disa aspekte duhet të trajtohen nga komisioni.

“Duhet të ketë një qasje më të centralizuar, një qasje hibride ku zbatimi bazë të jetë në nivel kombëtar nga rregullatorët kombëtarë dhe disa aplikacione dhe ndikim të caktuar t’i lihen komisionit”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore