Shqipëria

PD, Spaho dhe Këlliçi gjobiten me 5 milionë lekë të rinj


Ish-deputeti i Partisë Demokratike (PD) në Shqipëri, Edmond Spaho, është gjobitur, të enjten e 18 shkurtit, me masën administrative prej 5 milionë lekësh të rinj nga Policia e Devollit. Spaho ishte duke zhvilluar një takim me banorët e fshatit Menkulas, në Devoll.

Sipas njoftimit të policisë thuhet se përfaqësuesi i një subjekti politik me iniciale E.S., po mbante një takim në kundërshtim me masat anti-COVID.

Po ashtu është ndëshkuar me masën administrative pronari i lokalit ku po zhvillohej takimi. Subjekti është gjobitur me 10 milionë lekë të rinj.

Në takim ishin grumbulluar qytetarë në kundërshtim me pikën 2, neni 3, të Aktit Normativ “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë qytetarët, pronarët dhe administratorët e lokaleve, që t’i respektojnë me korrektësi masat anticovid, për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi.

Gjithashtu policia u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë në Komisariatin Digjital, këdo që nuk i respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.

Zëdhënësja për shtyp e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, e kontaktuar nga Albanian Post, konfirmoi se subjekti E.S. është ish-deputeti Edmond Spaho.

Gjatë ditës së enjte, është gjobitur me masën administrative prej 5 milionë lekësh të rinj një tjetër emër me zë nga radhët e PD-së. Bëhet fjalë për drejtuesin politik në Qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi.

 

Javën e kaluar është gjobitur kundrejt kësaj mase administrative dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore