Lajme

Pas shtatë muajve, punëtorëve teknikë të QKUK-së u rriten pagat


Foto: Albanian Post.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se është marrë vendim që punëtorëve teknikë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), t’u rritet paga nga 275 nga 402 euro.

Lajmin e ka bërë të ditur Azemi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, duke thënë se do ta pranojnë rritjen e pagesë ndonëse se s’është ajo që e kanë kërkuar.

“Me qëndrim të qartë mund të themi se nuk është ajo që e kemi kërkuar ne, por është për t’u çmuar pasi që kërkesa jonë ka qenë 450 euro dhe na janë ofruar 402”.

“Po ta kishim në fuqi edhe Marrëveshjen Kolektive kjo pagë do të kalonte shumën së paku 470 euro, për të cilën ne do të luftojmë me mjete sindikale që edhe kjo të bëhet”, thuhet në komunikatën e Azemit.

Në muajin shtator, Albanian Post kishte publikuar një artikull për mosrealizimin e kërkesës së punonjësve teknik edhe pas kalimit të gjashtë mujave.

Në muajin shkurt, premtimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia erdhi si përgjigje ndaj kërkesës Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë, ku përfshihej rritja e pagave më së paku 450 euro dhe çdo stimulim i punëtorëve shëndetësorë publikë, të jetë edhe për kompanitë që kryejnë shërbime teknike në spitale dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF) e gjithashtu t’u bëhet edhe pagesa e stazhit të punës.

Ata kishin kërkuar të largohet participimi për kontrollet që bëhen në institucionet shëndetësore të punëtorëve teknikë që kryejnë shërbime për spitalet në Kosovë, të kthehen nën menaxhim të spitaleve këta punëtorë dhe t’u mundësohet ushqim falas në mensat e spitaleve.

Të gjitha këto u dorëzuan më 21 shkurt dhe nga atëherë Vitia, i la në pritje punonjësit.

Iu tha më prisni 10 ditë, Arben Vitia ka muaj që s’po iu lajmërohet punëtorëve teknikë dhe atyre të sigurimit fizik që punojnë në institucione shëndetësore

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore