Lajme

Pas 24 shtatorit ushtarët britanikë po patrullojnë përgjatë kufirit Kosovë-Serbi


Ushtarët britanikë duke patrulluar

Ushtarët britanik në kuadër të Misioni të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, kanë nisur patrullimet në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas sulmit terrorist në Manastirin e Banjës në Zveçan, sulm ky i cili, sipas agjencisë së lajmeve britanike Reuters, po forcon mundësitë që palët t’i kthehen një konflikti të hapur.

Ushtarët britanikë të KFOR-it, sipas Reuters, janë duke punuar me orar të zgjatur deri në 18 orë për t’u siguruar që asnjë armë ose grup të armatosur të mos të hyjë në Kosovë.

“Aktualisht ne jemi këtu në një patrullë rutinë, e cila konsiston me marrjen e inteligjencës për çdo aktivitet të paligjshëm ose të dyshimtë që më pas kthehet në KFOR dhe më lart”; ka thënë Lejtnant Joss Gaddie nga Ushtria Britanike për Reuters.

NATO dërgoi qindra forca shtesë në Kosovë nga Britania dhe Rumania pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

Deri më tani KFOR-i numëron 1 mijë trupa shtesë, pas sulmit terrorist në Veri të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore