Lajme

Parulla që e braktisën të gjithë, pos mureve


Jo Negociata, Vetevendosje

“Jo Negociata, Vetëvendosje” u mbijetoi kushteve fizike dhe sot e kësaj dite e ke në shumë mure e objekte të vizatuar, por s’mbijetoi dot si parim i pa kompromis i atyre që e vizatuan.

Grupi i të rinjve që spërkaste muret në gjithë qytetet e Kosovës me këtë parullë ishin pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Një lëvizje e re politike që artikulonte qartësisht se çfarë dëmi i madh i shkaktohet Kosovës po u negociua me Serbinë në Bruksel.

Kjo Lëvizje sot është në pushtet. Ndërsa lideri i saj Albin Kurti, tash kryeministër, ka vazhduar negociatat, njëjtë si paraardhësit e tij.

Parullën?

Parullën ua ka lënë mureve.

Parulla shkruar ne nje mur ne lagjen Dardania ne Prishtine

“Parullat në mure shpesh janë edhe shprehje të reja të mendimit”, thotë Teutë Rrusta, sot anëtare e Partisë Socialdemokrate, dikur një nga të rejat që zhyste duart me ngjyrat kuqezi në përpjekje për të vendosur parullën sa më shpejt në mure, ndryshe i ndalonte policia.

“Jo secila parullë gëzon jetëgjatësi”, thotë ajo për Albanian Post, “por disa janë të lidhura ngushtë me kontekstin, ndërsa disa tjera sublimojnë kuptime dhe kanë përmasa universale. Prandaj, disa i fshinë koha, ndërsa disa mbesin në kujtesën kolektive dhe bëhen pjesë e qytetit”.

Parulla parimisht ka rënë, por fizikisht, kështu si është, duhet të qëndrojë deklaron Rrusta.

Tani, ndryshe nga kur u vendos, ka një funksion tjetër.

“Ndonjëherë parullat na shërbejnë edhe si pasqyre. Parulla JO NEGOCIATA, VETËVENDOSE! i mbijetoi kohës, por nuk mbijetoi në parimet e VV-së”.

“Pra kjo parullë ka dy funksione, tashmë: qëllimin dhe anulimin e tij”, vlerëson ajo.

Teute Rrusta

Parullat e Vetëvendosjes nuk kanë autor emra të përveçëm, sepse ato buronin nga “koka e partisë” dhe shpërndaheshin ndër aktivistë për t’u bërë pastaj pjesë e përditshmërisë së qytetarëve, nëpër mure e hapësira të ndryshme.

“Në shumicën e rasteve paraqet gjurmët e një kulture, subkulture apo lëvizje të ndryshme sociale, politike. Si të tilla, kanë rëndësi historike dhe aktuale. Ato shpesh na ballafaqojnë me pyetje, teksa ecim në qytet, të shpenguar nga rutina”.

Jo negociata, vetevendosje!

Vizatimet në mure apo afishet, thotë Rrusta, janë forma të shprehjes përmes artit, të cilat duhet t’i ruajmë pavarësisht ndryshimeve në politikë apo qëndrimeve të partisë e cila i ka nxjerrë në pah.

“Sidomos nëse reflektojnë kohë dhe momente të rëndësishme për shoqërinë, apo grupe të caktuara. Ato mund të jenë pasuri, por edhe propagandë. Duhet ditur t’i dallojmë njërën nga tjetra”.

“Çka fillon si propagandë në afshie, mund të kthehet në mësim kundër propagandës. Prandaj ka rëndësi se si trajtohen instutcionalisht afishet, parullat në mure e grafitet”.

Parulla

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore