Sport

Parregullsitë me kontratat e Superkupës në Arabi, shtatë arrestime në Spanjë


Tërmet në Spanjë. Policia bastisi zyrat e Federatës së Futbollit (RFEF) dhe prona të tjera dhe bëri shtatë arrestime, ka konfirmuar Guardia Civil.

Hetimi thuhet se është i lidhur me korrupsionin e dyshuar dhe pastrimin e parave dhe kontrollet u urdhëruan nga një gjykatës hetues i Majadahonda, i cili hetoi kontrata të dyshimta gjatë mandatit të Luis Rubiales si president i RFEF.

Kontratat në fjalë do të mbulonin edhe marrëveshjen për organizimin e Superkupës së Spanjës si një turne me katër skuadra në Arabinë Saudite, të përfunduar nga Rubiales së bashku me ish-lojtarin e Barcelona-s Gerard Pique.

Në total, 11 kontrolle u kryen në rajone të ndryshme spanjolle, përfshirë atë ku banon Rubiales. Mësohet se ai nuk ishte në vend në atë kohë.

Rubiales dha dorëheqjen vitin e kaluar për puthjen jo-konsensuale në Kupën e Botës për Femra me lojtaren spanjolle Jenni Hermoso. Ai është nën hetim penal për incidentin në Spanjë dhe është ndaluar nga aktivitetet e futbollit për tre vjet nga organi qeverisës botëror FIFA.

Sipas informacioneve të “El Mundo” dhe mediave të tjera spanjolle, tashmë ish-presidenti i Federatës së Futbollit ndodhet në Republikën Domenikane për gati një muaj.

Burime pranë hetimit supozojnë se mes të arrestuarve do të ishte edhe Rubiales dhe vetëm fakti që ndodhej në Republikën Domenikane e pengoi ndalimin e tij.

Operacioni drejtohet nga Gjykata e Shkallës së Parë në koordinim me Prokurorinë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Është pikërisht ajo gjykatë që nisi të hetojë kontratën për transferimin e Superkupës në Arabinë Saudite të nënshkruar nga Rubiales me sipërmarrësin dhe ish-futbollistin Pique.

Tjetër skandal i Luis Rubiales del në dritë

Pique përfundon nën hetimin e Anti-korrupsionit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore