Lajme

Palmer arrin në Kosovë, pritet nga ambasadori Kosnett


Zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer, ka arritur në Kosovë.

Ai është pritur nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett. Këtë e ka bërë të ditur, Ambasada amerikane në Kosovë, përmes një njoftimi në Twitter.

“Ambasadori Kosnett mirëpriti këtë mëngjes në ambasadë, zëvendësndihmës sekretarin Matthew Palmer për një vizitë tre ditore në Kosovë, ku do të diskutojë me zyrtarë e institucioneve të Kosovës, për sfidat, mundësitë dhe çështjet tjera me të cilat ballafaqohet Kosova”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Palmer së bashku me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të qëndrojnë për vizitë në Kosovë, ku do të flasin lidhur me rifillimin e dialogut mes dy vendeve.

Në vizitën e tyre do të takohen me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministrin e vendit, Albin Kurti, Zëvendës Kryeministrin e Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi, Zëvendës Kryeministren e Dytë dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz.

Takimet me qeveritarët pritet të mbahen gjatë pasdites të së hënës.

Pas takimeve të tyre, Lajçak dhe Palmer, do të mbajnë një konferencë për media të përbashkët, të martën në orën 10:45, në zyrën e BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore