Shqipëria

Paketa e re Fiskale: Kontroll për individët e pasur dhe dyfish gjobë për fshehjen e pagës


Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka propozuar një paketë të re fiskale për t’u zbatuar në vitin 2023.

Ajo ka kërkuar rritje e penalitetit për tatimpaguesit për mosdeklarim të punonjësve dhe fshehje të pagës.

Sipas një drafti – të parë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare – kjo masë vjen si rezultat i domosdoshmërisë për ashpërsimin e penaliteteve për këtë kategori shkeljesh dhe tatimpaguesish.

“Ashpërsimi i penaliteteve, synohet të ndikojë në reduktimin e këtyre shkeljeve, mbrojtjen e individëve të punësuar si dhe pasqyrimin real në skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”.

Deklarimi i punonjësve në skemën e sigurimeve shoqërore dhe deklarimi i pagës reale të tyre, ishte në fokus të planit operacional kundër informalitetit në fillim të këtij viti, për zbatimin e të cilit u ngrit edhe një njësi speciale.

Po ashtu, Ministria ka njoftuar aplikimin e ndryshimeve  ligjore në ligjin e Procedurave Tatimore.

Nëpërmjet këtyre ndryshimeve Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve merr kompetenca  për të kontrolluar individët e pasur në vend.

Me fjalë më të thjeshta, do të krijohet një databaze me individët e pasur, të cilët do të jenë subjekt kontrolli për evazion fiskal.

“Ky ndryshim kërkohet për arsye se gjatë kryerjes së kontrolleve tatimore, janë konstatuar të ardhura të padeklaruara të individëve dhe administrata tatimore ka hasur vështirësi referuar bazës ligjore në fuqi për vlerësimet tatimore të këtyre individëve”, shkruhet aty.

Kështu me këtë regjistër do të mundësohet mbledhja e të ardhurave edhe nga kjo kategori tatimpaguesish.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore