Lajme

Osmani takon Presidentin e Liberisë, flasin për thellimin e bashkëpunimit


Vjosa Osmani dhe Joseph Boakai

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Presidentin e Liberisë, Joseph Boakai, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve respektive.

Takimi është zhvilluar në kuadër të Samitit SHBA-Afrikë, ku është duke marrë pjesë e para vendit, derisa lajmi u bë i ditur nga Osmani, përmes një postimi në Facebook

“Liberia ka qenë ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën më 2008. Me Presidentin Joseph Boakai, diskutuam për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona në fusha të interesit të përbashkët dhe në interes të popujve tanë”, ka shkruar Osmani.

Ndërsa, të hënën Osmani, e cila ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e shënimit të 20-vjetorit të MCC-së, i organizuar në kuadër të Samitit SHBA-Afrikë në Dallas të Teksasit, ka thënë se mbështetja e MCC-së për Kosovën shërben si një katalizator për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve.

“Partneriteti ndërmjet Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe Republikës së Kosovës ka qenë një rrugëtim transformues, duke sjellë përfitime të rëndësishme për popullin e Kosovës dhe ekonominë e saj, si dhe duke shënuar një kapitull të veçantë në marrëdhëniet dypalëshe”, tha Osmani, ka njoftuar zyra e saj për media.

“Investimet nga MCC-ja nuk janë vetëm investime në infrastrukturë dhe ekonomi, por investim në të ardhmen e Kosovës, për popullin dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve”, potencoi ajo.

Sipas presidentes, programet MCC-së në praktikë ndihmuan në transformimin e jetëve, ridizajnimin e politikave dhe rivendosjen e lidhjes ndërmjet sektorit të energjisë dhe ekonomisë.

Osmani: Investimet e MCC-së sollën përfitime të rëndësishme për popullin e Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore