Lajme

Osmani për Deklaratën për të pagjeturit: Zbatimi është kyç, por Serbia nuk njihet për një gjë të tillë


Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për BBC ka folur për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku ka përshëndetur miratimin e deklaratës për personat e pagjetur, që u arrit në takimin e nivelit të lartë në Bruksel me 2 maj, në mes të kryeministrit kosovar, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

“Besoj se java e fundit ka qenë goxha e suksesshme, veçanërisht në një çështje të veçantë, që është miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur që janë zhdukur me forcë gjatë luftës, është një çështje që e kam shtyrë përpara dhe si Kosovë kemi investuar në këtë sepse janë mbi 1600 familje që ende i kërkojnë të dashurit e tyre që janë rrëmbyer gjatë luftës”.

Duke qenë së është një temë shumë e ndjeshme dhe e rëndësishme për tu zbatuar kjo marrëveshje, Osmani tha se “llogarisim mbështetje shtesë nga Britania e Madhe që është një nga vendet me rol kryesor për të na mbështetur”, pasi që ajo vlerëson që pala serbe është tejet dekonstruktive sa i përket zbatimit të marrëveshjeve që i nënshkruan.

“Deklarata është miratuar, zbatimi është kyç dhe fatkeqësisht Serbia nuk njihet si vend për zbatim. Por shpresoj që me ndihmën e aleatëve mund t’i japim fund kësaj plage shumë të thellë të shoqërisë sonë dhe që nënat të kenë një vend ku mund të vendosin lule për fëmijët e tyre të zhdukur”, potencoi e para e vendit.

Këtë intervistë Osmani e ka bërë gjatë qëndrimit të saj në Britani, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e Kurorëzimin të Mbretit Charls lll.

Siç njofton zyra e presidentes “me ftesë të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, presidentja do të marrë pjesë e shoqëruar nga bashkëshorti Prindon Sadriu”.

“Para ceremonisë së Kurorëzimit të Mbretit, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Mbreti Charles III dhe anëtarë të Familjes Mbretërore për liderët botëror në Buckingham Palace, sot më 5 maj”, thuhet në njoftimin për medie të presidencës.

Ndryshe, në takimin e 2 majit në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u miratua deklarata për personat e pagjetur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Mirëpo, pas publikimit të Deklaratës për personat e pagjetur është bërë e qartë se Kosova ka hequr dorë nga termi “persona të zhdukur me dhunë”, term që njihet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe përmes së cilës terminologji familjarët e viktimave do të mund të kërkonin dëmshpërblim.

Marrëveshja iu referohet personave të zhdukur në luftën e fundit vetëm si Persona të Pagjetur, përveç në një vend ku thuhet “personat e zhdukur me forcë” që në anglisht është “forcibly disappeared”, çka përbën dallim nga sa ka dashur Kosova të jetë që ishte “enforced disappearance”.

Në fakt, termi “persona të zhdukur me dhunë (enforced disappearance)” ishte thënë nga pala serbe se është larguar, qysh kur u arrit pajtimi për marrëveshje në mes të Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviç, por qeveria e Kosovës kishte deklaruar se është vetëm propagandë serbe dhe se termi ka mbetur.

Deklarata zyrtare e publikuar nga BE, qartësoi se terminologjia zyrtare do të jetë Persona të Pagjetur.

Arsyeja e rëndësisë së madhe të terminologjisë së përdorur ka të bëjë edhe me Konventën ndërkombëtare për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukja me dhunë.

Neni 24 i kësaj konvente flet për kompensimin e viktimave.

Pika 4 e Nenit 24 thotë “çdo Shtet Palë do të sigurojë në sistemin e tij ligjor që viktimat e zhdukjes me forcë të kenë të drejtën për të marrë dëmshpërblim dhe kompensim të shpejtë, të drejtë dhe adekuat”.

Me terminologjinë e përdorur në marrëveshje “persons forcibly disappeared” dhe jo siç e përcakton konventa “Enforced Disappearance”, dëmshpërblimi/kompensimi nuk mund të kërkohet.

Kurti ka hequr dorë nga termi “të zhdukur me dhunë”: Kjo është deklarata e plotë e Marrëveshjes Kosovë – Serbi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore