Kurti ka hequr dorë nga termi “të zhdukur me dhunë”: Kjo është deklarata e plotë e Marrëveshjes Kosovë – Serbi

albanianpost
02.05.2023 19:26
Loading Icons...

Është publikuar nga Bashkimi Evropian deklarata e marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe tashmë është bërë e qartë se Kosova ka hequr dorë nga termi “persona të zhdukur me dhunë”, term që njihet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe përmes së cilës terminologji familjarët e viktimave do të mund të kërkonin dëmshpërblim.

Marrëveshja iu referohet personave të zhdukur në luftën e fundit vetëm si Persona të Pagjetur, përveç në një vend ku thuhet “personat e zhdukur me forcë” që në anglisht është “forcibly disappeared”, çka përbën dallim nga sa ka dashur Kosova të jetë që ishte “enforced disappearance”.

Në fakt, termi “persona të zhdukur me dhunë (enforced disappearance)” ishte thënë nga pala serbe se është larguar, qysh kur u arrit pajtimi për marrëveshje në mes të Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviç, por qeveria e Kosovës kishte deklaruar se është vetëm propagandë serbe dhe se termi ka mbetur.

Deklarata zyrtare e publikuar nga BE, tashmë qartëson se terminologjia zyrtare do të jetë Persona të Pagjetur.

Kurti kishte qenë shumë këmbëngulës në termin “të zhdukur me dhunë”.

“Ata nuk janë zhdukur nga fatkeqësi natyrore”, kishte pohuar Kurti, duke treguar rëndësinë e përshkrimit të saktë.

Akoma nuk është bërë e ditur përse Kosova ka vendosur të heqë dorë nga qëndrimi i saj fillestar.

Arsyeja e rëndësisë së madhe të terminologjisë së përdorur ka të bëjë edhe me Konventën ndërkombëtare për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukja me dhunë.

Neni 24 i kësaj konvente flet për kompensimin e viktimave.

Pika 4 e Nenit 24 thotë “çdo Shtet Palë do të sigurojë në sistemin e tij ligjor që viktimat e zhdukjes me forcë të kenë të drejtën për të marrë dëmshpërblim dhe kompensim të shpejtë, të drejtë dhe adekuat”.

Me terminologjinë e përdorur në marrëveshje “persons forcibly disappeared” dhe jo siç e përcakton konventa “Enforced Disappearance”, dëmshpërblimi/kompensimi nuk mund të kërkohet.

Teksti i deklaratës së përbashkët:

Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të Personave të Pagjetur që kanë mbetur akoma dhe për t’i sjellë një fund vuajtjeve të më të dashurve të tyre dhe për të nxitur paqen dhe pajtimin e qëndrueshëm,

Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur, i cili përfshin personat e zhdukur me forcë,

Duke kujtuar se të gjitha kategoritë e Personave të Pagjetur do të trajtohen me prioritet të barabartë,

Duke pranuar punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit të Punës për Personat e Pagjetur, i kryesuar nga ICRC,

Inkurajimin e bashkëpunimit me aktorë të tjerë relevantë në fushën e Personave të Pagjetur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP),

Duke e njohur çështjen e Personave të Pagjetur si çështje humanitare,

Duke vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të lehtësuar vuajtjet njerëzore të familjeve,

Ne angazhohemi së bashku:

Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Pagjetur,

për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe ndjekjen e gërmimeve,

për të siguruar akses të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të humbur të mbetur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst,

të vërë në dispozicion të gjithë dokumentacionin vendas dhe ndërkombëtar me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të pagjetur të mbetur,

për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive,

të mundësojë dhe inkurajojë angazhimin aktiv të familjeve të Personave të Pagjetur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,

për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe adresuar nevojat e familjeve të personave të pagjetur,

të krijojnë dhe të punojnë së bashku përmes një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga ICRC me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të pagjetur të mbetur,

të monitorojë dhe mbështesë punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Pagjetur përmes Komisionit të Përbashkët. Në këtë kontekst, palët do të rishikojnë dhe përditësojnë Termat e Referencës dhe kuadrin e Përgjithshëm të Grupit të Punës.

Detajet operacionale do të bien dakord në takimin e ardhshëm të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.

Të fundit

Aktuale