Lajme

Osmani falënderon Suedinë e uron Spanjën për udhëheqësinë e presidencës së BE-së


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në rrjetin e saj social në Twitter, ka falënderuar Suedinë, kjo pasi që ky shtet të shtunën ka përfunduar udhëheqjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian.

“Falënderoj kryeministrin e Suedisë për udhëheqjen dhe angazhimin e tij për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë”, ka shkruar fillimisht ajo.

Spanja ka marrë më 1 korrik udhëheqësinë e presidencës së Bashkimit Evropian, të cilën do ta mbajë deri në dhjetor të këtij viti.

Prandaj Osmani në po këtë postim në Twitter ka shprehur padurimin e saj për të vazhduar përpjekjet për të sjellë Kosovën më afër BE-së gjatë presidencës së Spanjës.

Ndryshe një ditë më parë ambasadori i Spanjës në Serbi, Raul Bartolome Molina, në një intervistë për agjencinë e lajmeve serbe, Tanjug, theksoi se pozicioni i Madridit zyrtar në raport me pavarësinë e Kosovës mbetet e pandryshuar ani pse vendi i tij mbështet përpjekjet e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ai foli edhe për presidencën e Këshillit të Evropës, ndërsa theksoi se Spanja për gjashtë muaj do të ketë katër prioritete, ndër të cilat është edhe çështja e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

“Qeveria e Spanjës ka krijuar një program të presidencës, sipas të cilit prioritetet janë riindustrializimi i BE-së dhe pavarësia strategjike, promovimi i agjendës së gjelbër dhe çështjet e mbrojtjes së mjedisit, ekonomia sociale në kuptimin e një drejtësie më të madhe sociale dhe ekonomike dhe së katërti forcimi i unitetit të BE-së, zgjidhja e çështjeve financiare dhe politike, zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor dhe afrimi i këtij rajoni me BE-në”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore