Sport

Superliga e Kosovës përfundon sezonin – shpëton Gjilani, Ferronikeli në play-off


Superliga e Kosovës ka përfunduar pesë ndeshjet e fundit për këtë sezon, duke vulosur fatet përfundimtare të skuadrave.

Ballkani është skadra kampione, e shpallur matematikisht në javën e parafundit. Djemtë e drejtuar nga Ilir Daja gjithashtu triumfuan edhe në Kupën e Kosovës.

Skuadra nga Suhareka përmbysi këtë të shtunë Prishtinën, 2-1, në shtëpi. Hasan Hyseni kaloi miqtë në avantazh, para se takimi te barazohej nga Edvin Kuç dhe Armand Thaqi të realizonte për përmbysjen e madhe.

Me vendin e parë, Ballkani, veç titullit kampion, siguron edhe pjesëmarrjen në turin e parë kualifikues të UEFA Champions League 2024-25.

Llapi e mbyll fushatën në vendin e dytë pas Ballkanit dhe këtë të shtunë mori një fitore të rëndësishme 1-5 në transfertën ndaj Lirisë. Arbnor Ramadani, Ahmed Januzi, Muhamet Hyseni (dy gola) dhe Mamadou Cissokho (autogol) ishin autorët e golave për Llapin.

Llapi, me vendin e dytë në Superligë, siguron pjesëmarrjen në raundin e parë kualifikues të UEFA Europa League 2024-25 për sezonin e ardhshëm.

Me 26 gola, Muhamed Hyseni shpallet golashënuesi më i mirë i këtij sezoni në Superligën e Kosovës.

Drita dhe Malisheva e përfundojnë përkatësisht në vendin e tretë dhe të katërt. Dy skuadrat u përballën me njëra-tjetrën këtë të shtunë me takimin që përfundoi në barazim 1-1. Enes Morina realizoi për miqtë, para se Besnik Krasniqi të barazonte shifrat.

Drita dhe Malisheva janë dy skuadrat e tjera që do të përfaqësojnë Kosovën në Kupat e Evropës për sezonin e ri. Të dyja do të jenë pjesë e turit të parë kualifikues në UEFA Conference League.

Gjilani arriti t’i shpëtonte play-off në takimin e fundit përballë Dukagjinit. Pati përmbysje dhe kundërpërmbysje dhe në fund, Gjilani festoi një fitore të madhe në shifrat 2-4 dhe përfundoi në vendin e gjashtë, teksa kundërshtarët e tyre një vend më poshtë.

Senad Jarovic kaloi në avantazh Gjilanin, por Dukagjini e përmbysi ndeshjen brenda pjesës së parë me golat nga Blerind Morina dhe Osman Mëziu.

Megjithatë, gjatë pjesës së dytë, miqtë shënuan tre herë për të arritur një fitore të madhe me Edi Basa, Donaldo Açka.

Ferronikeli fitoi pastër 0-3 në fushën e Fushë-Kosovës, por kjo fitore nuk mjaftoi për t’i shpëtuar zonës së play-off pas triumfit të Gjilanit.

Fushë-Kosova dhe Liria janë dy skuadrat që kanë rënë nga Superliga për këtë sezon, me rënien e tyre të konfirmuar disa javë më parë.

Renditja përfundimtare e Superligës 2023-24

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore