Përballje

Nuk befasojnë kombëtaret e “mëdha”


Në ndeshjet e shteteve Evropiane, për kualifikimet e Kampionatit Botëror “Katar 2022”, të cilat u zhvilluan te dielën, nuk pati befasia, ku të gjithë Kombëtaret e mëdha korrën suksese.

Spanja e cila bënë pjesë në grupin B së bashku me Kosovën, shënoi fitore me përmbysje kundër Gjeorgjisë në udhëtim.

Spanjollët u gjenden në disavantazh në fundin e pjesës së parë, ku në minutën e 44-të, vendasit shënuan përmes Khvicha Kvaratskhelia.

Në pjesën e dytë Spanja barazoi rezultatin përmes Ferran Torres, pastaj tre pikët shumë të rëndësishme, ata i siguruan vetëm në sekondat e fundit të ndeshjes përmes Dani Olmo.

Italia e Roberto Mancinit vazhdon serinë e rezultateve pozitive duke triumfuar me rezultat 0:2 në Sofie përballë Bullgarisë.

Golat për Italinë u realizuan nga një për çdo pjesë. Në fundin e pjesës së parë realizoi Belotti me 11-metërsh ndërkohë që në pjesën e dytë Locatelli i ardhur nga stoli shënoi një gol të bukur duke vulosur fitoren.

Kështu “të kaltrit” siguruan suksesin e dytë në grupin C, dhe janë në rrugë të mirë për të siguruar kualifikimin.

Me pikë të plota në këtë grup është edhe Zvicra që mposhti minimalisht 1:0 Lituaninë me një gol të shpejtë të Xherdan Shaqirit dhe ndan kryesimin e tabelës së bashku me Italinë.

Fitoren e dytë në këto eliminatore, e mori edhe Gjermania e cila bënë pjesë në grupin J.

Gjermanët shënuan fitore minimale me rezultat 1:0 përballë Rumanisë në Bukuresht, përmes golit të realizuar nga Serge Gnabry në minutën e 17-të.

Kështu ekipi i Joachim Low siguroi tre pikë tjera, duke kryesuar tabelën me pikë të barabarta me Armeninë.

Po në këtë grup, fitore të thellë regjistroi Maqedonia e Veriut që mposhti 5:0 Lihtenshtejnin.

Enis Bardhi hapi serinë e golave në pjesën e parë për Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që për t’i dhënë fitoren e parë në grup skuadrës së trajnerit Angelovski, realizuan Trajkovski dy herë por edhe Elmas e Nestorovski me penallti.

Në grupin I ku bën pjesë edhe Shqipëria morën fitore të lehta, Polonia dhe Hungaria që mposhtën 3:0 dhe 0:3 Andorran dhe San Marinon.

Dy gola realizoi Lewandowski dhe një Swiderski për polakët ndërkohë që te hungarezët shënuan tre sulmues Szalai, Sallai dhe Nikolics.

Në grupin D, Franca shënoi fitore 0:2 në udhëtim te Kazakistani, në të cilën dy golat u shënuan në pjesën e parë, ku fillimisht Dembele shënoi në minutën e 19-të, pastaj mbojtësi vendas Maliy shënoi një autogol në minutën e 44-të.

Po në të njëjtin grup, Ukraina dhe Finlanda u ndanë baras, me rezultat 1:1, ku në minutat e fundit të ndeshjes, sulmuesi i Finalndës Teemu Pukki, iu kundërpërgjigj golit të mëhershëm të Junior Moraes.

Me të njëjtat shifra u mbyll edhe sfida mes Izraelit dhe Skocisë në grupin F, aty ku Austria mposhti 3:1 me përmbysje Ishujt Faroe me golat e Dragovic, Baumgartner dhe Kalajdzic.

Ndësa lideri aktual i grupit F, Danimarka, deklasoi Moldavinë, me rezultat 8:0.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore