Sport

Niels Nygaard viziton për herë të parë Komitetin Olimpik të Kosovës


Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, në krye me presidentin Ismet Krasniqin, gjatë ditës së hënë, kanë pritur në takim ushtruesin e detyrës së presidentit të Komitetit Olimpik të Evropës, Niels Nygaard, i cili po e vizitoi për herë të parë KOK-un.

Presidenti Krasniqi duke i uruar mirëseardhje u.d. presidentit Nygaard, e njoftoi me sfidat e sportit tonë në kohë të pandemisë Covid 19, si dhe përgatitjet që KOK-u po bënë për Lojërat Olimpike Tokio 2020.

I pari i KOK-ut shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Komitetin Olimpik të Evropës, derisa kërkoi nga ai që në të ardhmen në Komisionet e KOE-s të përfshihen edhe përfaqësues të KOK-ut.

U.d. i presidentit të KOE-së, Nygaard, konfirmoi mbështetjen për Komitetin Olimpik të Kosovës, ndërsa vlerësoi lartë të arriturat, me theks të veçantë medaljen e artë olimpike të Majlinda Kelmendit, të fituar në Lojërat Olimpike Rio 2016.

Nygaard foli edhe për progresin që po bënë KOE për organizimin e Lojërave Evropiane 2023, për të cilat theksoi se shumë sporte do të vlejnë edhe si kualifikuese për Lojërat Olimpike Paris 2024.

E pranishme në takim ishte edhe zëvendësministrja për Kulturë, Rini e Sport, Daulina Osmani, e cila gjithashtu shprehi mirënjohje për vizitën e Nygaard në Kosovë, teksa konfirmoi bashkëpunimin e mirë që ka MKRS-ja me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe federatat sportive në Kosovë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore