Lajme

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, Osmani: Aspirata shekullore e kosovarëve u materializua me pavarësinë e Kosovës


Seanca solemne e Kuvendit të Kosovës për nderë të 14 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka filluar me intonimin e himnit shtetërorë.

Në seancën solemne përveç deputetëve të Kuvendit të Kosovës, prezent ishin edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, familjarë të dëshmorëve, ambasadorë nga shtete të ndryshme e ish-president e ish-kryeministra.

Pas intonimit të himnit, Presidentja Kosovës në foltoren e Kuvendit të Kosovës ka mbajtur një fjalim me rastin e kremtimit 14 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Për Osmanin aspirata shekullore e popullit të Kosovës u materializua me pavarësinë e Kosovës e cila hapi një kapitull të ri jo vetëm për Kosovën, por edhe për globin duke regjistruar në historinë njerëzore të asaj kohe shtetin më të ri në botë.

“Rruga deri te ky akt nuk ishte e lehtë populli i Kosovës ka përjetuar kalvarinë nën regjimin gjenocidal të Serbisë u dashtë shumë mund shumë sakrifica dhe sfida për ta bërë lirinë e po aq shumë për ta bërë shtetin”, ka thënë Osmani.

Gjatë fjalimit të saj Osmani, ka përmendur edhe ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugovan dhe komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin.

“Nën udhëheqjen e Rugovës, Kosova i bëri të ditur botës demokratike se synim i saj ishte pavarësia e vendit. Për aq sa u rri shtypja ndaj ne, u rrit edhe rezistenca jonë. Vajza e djem u bënë gardian të atdheut. Secila luftë i ka heronjtë e vet, e liria jonë e njeh Adem Jasharin që u flijua për ne. Ne do ta njohim figurën e tij dhe të gjithë heronjtë. Ne sot i nderojmë të gjithë invalidët e luftës dhe viktimat e luftës. Të gjithë meritojnë respekt e nderim”, ka thënë ajo.

Ajo nuk ka kaluar pa i përmendur edhe shtetet mike që sipas saj u vunë në anën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Presidentja Osmani ka bërë të ditur shpresojnë se me ndihmën shteteve mike do ta mbyllin edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

“Kosova ka vendosur në cilën anë është dhe qëndron fuqishëm në anën e aleatëve të saj. Kosova sot nuk është as ajo e qershorit ’99 e as e shkurtit 2008. E vërteta mund të vonohet por jo edhe të shmanget. Dialogu me Serbinë do të përfundojë me njohje reciproke. Nuk do të pranojmë që ky proces t’i shkaktojë kokëçarje vendit tonë”, ka thënë ajo.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore