Kosova

Nagavci reagon sërish për paralajmërimet e grevës: Kemi pengesa por programin tonë do ta çojmë deri në fund


Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci sërish i ka reaguar Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Ajo përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se pengesat nuk do ta ndalojnë që të e ndalojnë ministrinë që të fuqizoj sektorin e arsimit.

“14 shkurti ka qenë moment i kthimit të madh për rregullimin e secilit sektor shoqëror tashmë të dëmtuar rëndë,  ndër të cilët pothuajse më së rëndi ky i arsimit”.

“Dhe padyshim fajtorët nuk janë anonim. Jam shumë e vetëdijshme për gjendjen aktuale, por çdo ditë po marrim iniciativa e vendime që do të na nxjerrin përfundimisht nga kjo gjendje. Kemi e do të kemi pengesa, por kemi edhe vullnetin e hekurt që besimin që kemi marrë nga qytetarët për programin tonë ta çojmë deri në fund”, ka shkruar Nagavci.

Ajo ka theksuar se gjatë qeverisjes se saj në krye të këtij dikasteri ka realizuar një numër të madh punësh të cilat kanë ndihmuar mësimdhënësit.

“Për herë të parë kemi ndarë buxhet për mësimdhënësit me probleme shëndetësore –  1.7 milionë euro janë ndarë, ku përfitojnë rreth 300 mësimdhënës. Kemi ndarë buxhet për mësimdhënësit që janë tepricë teknologjike që të mos i lëmë pa punë. 1600 mësimdhënësve ju kemi ruajtur normat dhe jemi duke punuar që mësimdhënësit të mos rrezikojnë vendet e punës e po punojmë njëkohësisht edhe për riplanifikim e kujdes për buxhetin”.

Nagavci, ka përmendur edhe punësimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta

“Sivjet kemi punësuar 100 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta – për vitin që vjen + 300 asistentë tjerë, për të cilët tashmë është planifikuar buxheti. Ndër tjera kemi zgjidhur problemin me norma, psh. në Komunën e Fushë Kosovës – ky problem ka qenë më shumë se 10 vjet.  Në buxhetin e vitit 2023 tashmë janë paraparë më shumë se 150 norma të stafit arsimor për këtë komunë”.

Po ashtu me projektligjin i cili është në diskutim paraprak, të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit sipas ministres janë trajtuar me kujdes të veçantë.

“Në raport me ligjin e kaluar kemi ngritje të koeficienteve në të gjitha kategoritë e mësimdhënësve dhe stafit tjetër të shkollave. Kemi eliminuar padrejtësitë e shumë punonjësve të sektorit të arsimit si biblotekist, psikolog, pedagog dhe sekretar”.

“Jemi duke punuar maksimalisht që të përmirësojmë kushtet e punës në shkolla e t’ i pajisim me kabinete, laboratore e salla sportive”, ka përfunduar Nagavci.

Më 22 gusht, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, është shprehur se kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor.

Paralajmërimit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, e para e kësaj ministrie i ka quajtur të paarsyeshme.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ajo ka thënë se MASHTI ka punuar në përmirësimin e arsimit në shumë drejtime.

“Angazhimi ynë është shumë dimensional, në përmirësimin e infrastrukturës në shkolla, avancimin e infrastrukturës ligjore, që të kemi staf të kualifikuar, tekste cilësore, kabinete e laboratore, në mënyrë që t’i përmirësojmë rezultatet në arsim”, ka shkruar Nagavci.

Sa i përket pagave ajo i ka quajtur “të dinjitetshme për mësimdhënësit tanë”.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka lajmëruar se nga 25 gushti i këtij viti do të ketë grevë të përgjithshme të të punësuarve për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore