Lajme

BSPK-ja shpall grevë të përgjithshme, fajtori për këtë është Qeveria


Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës në një konferencë për media

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka lajmëruar se nga 25 gushti i këtij viti do të ketë grevë të përgjithshme të të punësuarve për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Greva e përgjithshme do të vazhdojë derisa të përmbushen kërkesat e tyre.

Kështu të paktën ka bërë të ditur kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, në një konferencë për media.

Greva e përgjithshme e paralajmëruar nga BSPK-ja, pritet të afektojë institucionet arsimore dhe administratën publike.

“BSPK-ja përsëri ka ndjekur të gjitha rrugët ligjore drejt realizimit të kërkesave, por nuk ia doli të ulet me Qeverinë për të gjetur një rrugë të duhur. Prandaj sot dua t’u informojë se po hymë në grevë”, ka thënë Hykolli.

“Kërkojmë 100 euro shtesë deri sa të miratohet Ligji për Paga”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër Rrahman Jasharaj, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka thënë se fajtori i vetëm për grevën e paralajmëruar është Qeveria Kurti.

“Fajtori i vetëm se çka do të ndodhë tash e tutje me mbylljen e çerdheve, me mbylljen e institucioneve arsimore dhe administratës dhe në të gjithë sektorët tjerë është Qeveria Kurti me në krye kryeministrin Kurti dhe ministri Murati”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj ka shtuar se kanë dërguar edhe përfaqësuesin ligjor për ta nxitur dialogun, mirëpo sipas tij, Qeveria nuk qan kokën për zërin e sindikatave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore