Lajme

Murati përplaset me opozitën për marrëveshjet ndërkombëtare dhe Trustin


Hekuran Murati

Sipas ish-ministrit të Financave, Avdullah Hoti, është hera e parë që një ministër i financave sjellë në Kuvendin e Kosovës një marrëveshje për kredi, e cila është destinuar për asistencë sociale, në kushte kur nuk ka nevojë.

“Nuk mundesh me krahasu vitin 2020 sepse në vitin 2020 ka pasë minus 600 milionë të hyra përshkak të mbylljes nga pandemia. Kur kam qenë kryeministër i kam kërku këtij Kuvendi me ratifiku marrëveshje ndërkombëtare për hekurudha, për aeroporte e autostrada, këso marrëveshje duhesh me sjell në Kuvend. Mungesa e rezultateve ministër të ka bërë agresiv, nuk keni qenë kështu. Pranoje, mos me këtë gjuhë të komunikimit”, ka thënë Hoti.

Ndërsa, ministri i financave, Hekuran Murati, paraprakisht nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, kishte fajësuar deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, se kanë qëndrime të kundërta lidhur me skemat sociale.

“Në krizë inflacionare të tillë çka duhet të bëhet është që t’i mbështesë ata që kanë nevojë më së shumti, e që janë rastet sociale, qeveria për tërë vitin e ka rritë buxhetin për mbështetje ndaj këtyre familjeve dhe ka dizajnuar skemën që familjet që kanë më shumë fëmijë të përfitojnë më shumë. Ne kemi sjellë marrëveshjen me Bankën Botërore që zgjeron skemën sociale, por ju s’po e votoni”, tha ai.

Lidhur me këtë çështje është deklaruar edhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, duke reaguar kështu kundër deklaratave të ministrit Murati, se opozita nuk po i voton marrëveshjet ndërkombëtare.

“Të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare i kemi votuar. Këtë (për skemën sociale) nuk e kemi votuar se është e dëmshme. Ti ke kërkuar me rrit energjinë dhe është një vendim që është pezulluar. Ju krejt çka kërkoni është ta kini kompetencën tuaj ngritjen e pagës minimale dhe kjo s’ka më ndodh”, tha ai.

Murati, është përplasur gjithashtu me deputetët e opozitës sa i përket tërheqjes së kursimeve pensionale nga Trusti.

Sipas argumentit të tij, familjet me asistencë sociale, studentët e pensionistët kanë zero para në Trust, andaj miratimi i tërheqjes së mjeteve nga ky fond nuk ndihmon kësaj shtrese shoqërore.

“Sa kanë trust familjet në asistencë sociale, zero, sa kanë trust studentët zero, sa kanë trust pensionistët zero, sa kanë trust ata që paguhen me pagë minimale, mundem me i pasë 100 euro, që 30% i bie 30 euro me këto masa po doni me i ndihmu këto familje ?”, ka pyetur Murati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore