Lajme

Miratohet marrëveshja për rialokimin e mbi një milion eurove


Komisioni për Integrime Evropiane

Komisioni për Integrime Evropiane ka miratuar amendamentin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2018, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, që mundëson rialokimin e 1.5 milion eurove për projektin e ndërrimit të filtrave për “Termocentralin Kosova B”.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë prezantimit të marrëveshjes ka thënë se është shumë e rëndësishme që e njëjta të hyjë në fuqi sa më shpejt në mënyrë që të rialokohen mjetet.

“Qëllimi i këtij amendamenti është që të mundësohet rialokimi i 1.5 milion eurosh për projektin e ndërrimit të filtrave për termocentralin Kosova B. E vetmja formë është që ta nënshkruajmë këtë marrëveshje. Është shumë me rëndësi që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi sa më parë që këto mjete të rialokohen”, është shprehur Bislimi.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi

Ndërkaq, Komisioni miratoi edhe një projektligj tjetër që ka të bëjë me identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Po ashtu, është miratuar edhe projektligji për punimet nga metalet e çmuara, me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore