Lajme

Milatoviç: Prioriteti numër një i Malit të Zi është anëtarësimi i plotë në BE


Presidenti i Malit te Zi, Jakov Milatoviç.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, gjatë takimit të sotëm me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se prioriteti i shtetit malazez është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian.

“Gjatë bisedës me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, ritheksova se prioriteti numër një i Malit të Zi është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian (BE). Ne ramë dakord që tani është momenti i duhur për të arritur këtë qëllim dhe se emërimet në gjyqësor janë kusht i domosdoshëm”, ka shkruar Milatoviç në Twitter.

Ndërsa, Milatoviç pas samitit të NATO-s, që u mbajt të martën dhe të mërkurën në Vilnius të Lituanisë theksoi se Podgorica është një partner i besueshëm i aleancës, e cila po përpiqet të afirmojë stabilitetin dhe demokracinë me një rol konstruktiv në rajon.

“Ky samit po organizohet në një moment kritik për sigurinë euroatlantike. Dua të përgëzoj mikpritësit tanë, aleatin tonë, Lituaninë, për mikpritjen e tyre dhe të gjitha përpjekjet që kanë bërë për ta bërë këtë samit të suksesshëm. Në kontekstin e situatës më sfiduese të sigurisë në Evropë, që nga periudha e Luftës së Ftohtë, ndërkohë që lufta e pajustifikuar dhe e paprovokuar ruse në Ukrainë vazhdon, NATO, si gjithmonë në historinë e saj të gjatë 75-vjeçare, demonstroi unitet. Mendoj se ky është mesazhi më i rëndësishëm”, pohoi ai.

Ai gjithashtu theksoi se është veçanërisht i lumtur që aleanca sot është më e fortë dhe më e sigurt për dy anëtarët e rinj, Finlandën, dhe së shpejti edhe Suedinë.

“E konsideroj atë veçanërisht të rëndësishme në kontekstin e rrethanave aktuale gjeopolitike. Në samit u morën vendime kyçe për forcimin e politikës së parandalimit dhe mbrojtjes dhe u miratuan plane të reja rajonale për mbrojtjen e territorit aleat”.

Mali i Zi, potencon Milatoviç “është një partner i besueshëm i aleancës, i cili po përpiqet të afirmojë stabilitetin dhe demokracinë me një rol konstruktiv në rajon”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore