Shqipëria

Meta uron homologun gjerman në “Ditën e Bashkimit të Gjermanisë”


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, të dielën e 3 tetorit, ka uruar homologun e ij gjerman Frank-Walter Steinmeier, me rastin e “Ditës së Bashkimit të Gjermanisë”.

“Kam kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, të përcjell urimet e mia më të ngrohta e të sinqerta për Ju dhe popullin mik gjerman”, shkruan Meta.

Në vijim të postimit në median sociale Facebook, Meta vë theksin te bashkëpunimi dhe marrëdhënia e ngushtë mes dy vendeve dhe popujve.

Meta e cilësoi Gjermaninë si “avokate e Shqipërisë” për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Si dhe vazhdimësinë gjeo-strategjike të procesit të zgjerimit të BE-së drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Dëshiroj t’Ju falënderoj, Zoti President, edhe për mbështetjen që vendi Juaj, përmes Procesit të rëndësishëm të Berlinit, hapi një perspektivë të qartë politike dhe ekonomike integruese në BE për të gjitha vendet e rajonit tonë”.

Sipas Metës ky është një proces jetik për Shqipërinë dhe mbetet rruga më e qartë e më e sigurt për integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në familjen dhe vlerat evropiane.

Në përfundim Meta theksoi faktin se dy vendet do të vazhdojnë të kenë bashkëpunim të shkëlqyer si, “dy vende anëtare të NATO-s, për çështjet e sigurisë rajonale, në dobi të një rajoni të paqtë, të begatë dhe të integruar në BE“.

E para që e kujtoi këtë ishte Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Përmes një letër urimi, Nikolla thekson se Rënia e Murit të Berlinit dhe ribashkimi i Gjermanisë, “lajmëruan erën e ndryshimeve demokratike dhe të lirisë për popujt e Evropës Lindore e Qendrore e më gjerë”.

Me bindjen se bashkëpunimi shqiptaro-gjerman “do të zgjerohet”, Nikolla shprehet se “Gjermania është sot, mike e Shqipërisë” dhe “një model për demokracitë e reja”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore