Lajme

Meloni: Jemi gati të formojmë qeverinë sa më shpejt të jetë e mundur


Liderja e ekstremit të djathtë të Italisë, Giorgia Meloni, deklaroi se së bashku me aleatët e saj të koalicionit janë gati të formojnë një qeveri “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë vendase, duke cituar fjalën e Meloni-t pas takimit me presidentin Sergio Mattarella.

Mattarella do t’i kërkojë Meloni-t në orët në vijim të bëhet kryeministre.

Ish-kryeministri veteran Silvio Berlusconi mori pjesë në bisedimet e shkurtra.

Kjo, pavarësisht se tronditi unitetin e koalicionit me komentet e nxjerra pro-Putin.

Meloni është përpjekur të sigurojë aleatët perëndimorë të Italisë se asgjë nuk do të ndryshojë.

Udhëheqësja e “Vëllezërve të Italisë” mund të betohet që në fillim të kësaj fundjave si kryeministrja e parë grua e vendit – dhe liderja e parë e ekstremit të djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ajo tha se koalicioni i saj i partive të krahut të djathtë dhe të ekstremit të djathtë ishte unanim se ajo duhet të drejtonte Italinë.

Përpara takimit 11-minutësh të së premtes, ajo tha se ata ishin “të gatshëm t’i jepnin Italisë një qeveri që përballet me ndërgjegjësim dhe kompetencë me urgjencën dhe sfidat e kohës sonë”.

Më pak se një muaj pasi italianët votuan për një Senat të ri dhe Dhomë të Deputetëve, ajo do të zëvendësojë Mario Draghi-n, i cili do të kthehej nga një samit i BE të premten.

Krahas zonjës Meloni në pallatin presidencial ishin Matteo Salvini i Lega-s së ekstremit të djathtë dhe Silvio Berlusconi – kreu 86-vjeçar i qendrës së djathtë Forza Italia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore