Lajme

Mbi 1.7 milion euro ndahen për profesionistët shëndetësorë të angazhuar gjatë pandemisë


Një mjek në Kliniken Infektive. Foto: Albanian Post.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve për tre muaj për pagesën e obligimeve kontraktuale për 1 mijë e 271 profesionistë shëndetësorë dhe staf mbështetës, të cilët ishin angazhuar në menaxhimin e situatës me COVID-19.

Mjetet të cilat janë ndarë i përkasin periudhës 15 mars deri me 15 qershor të 2022, ka njoftuar zyra e Kryeministrit.

“Me këtë rast, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për alokimin dhe shpenzimin e mjeteve buxhetore deri në vlerën 1,768,300.93 €, për pagesën e obligimeve kontraktuale të krijuara me lidhjen e kontratave me 1,271 profesionistë shëndetësorë dhe staf mbështetës, lidhur me menaxhimin e situatës me COVID-19, për periudhën 15 mars – 15 qershor 2022”, thuhet në njoftim.

Protesta e specializantëve para ministrisë së Shëndetësisë.

Më 26 maj, Sërish specializantët e angazhuar në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, kishin protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë.

Ata kërkuan realizimin e kërkesave të tyre.

Ndërsa, kanë thënë se kërkesat e tyre janë paraqitur që nga muaji dhjetor, mirëpo që të njëjtat nuk janë realizuar pavarësisht premtimit të ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, se ato do të kryhen në fillim të janarit.

Ndryshe, të mërkurën e 25 majit, infermierët dhe stafi mbështetës i angazhuar në shëndetësi ndaj luftës me COVID-19, kanë protestuar para objektit të Ministrisë së Shëndetësisë, për shkak të pakënaqësive për mosmarrjen e pagave për gati tre muaj.

“Zoti Ministër na ktheni përgjigje deri në ora 16:00 se kemi kurs gjermanishtes në ora 17:00”, “Ju të gjithë krenoheni për menaxhim të pandemisë, ne ishim ARSYEJA”, “Rrezikova vetën dhe familjen time, për të të shpëtuar ty dhe familjen tënde DHE SI U SHPËRBLEVA”, janë disa nga pankartat që janë mbajtur në duart e stafit shëndetësorë.

Më 27 janar, një grup i specializantëve nga Kosova, kishte protestuar para ministrisë së Shëndetësisë, pasi siç kishin vlerësuar, diskriminimi ndaj tyre ishte vetëm duke u thelluar edhe më shumë.

Mbi 1 mijë profesionistë shëndetësorë bashkë me stafin mbështetës të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë në luftë kundër pandemisë në Kosovë, nuk kanë marrë paga për më shumë se tre muaj.

Këta punonjës ishin marrë në punë me kontratë të përkohshme për gjashtë muaj në mënyrë që të administrojnë me kurën anti COVID dhe të ndihmojnë pacientët e infektuar me këtë virus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore