Lajme

Protestojnë “heronjtë e pandemisë” para MSH-së – ka 3 muaj që s’janë paguar


Infermierët në protestë para Ministrisë së Shëndetësisë.

Të mërkurën e 25 majit, infermierët dhe stafi mbështetës i angazhuar në shëndetësi ndaj luftës me COVID-19, ka nisur protestën para objektit të Ministrisë së Shëndetësisë, për shkak të pakënaqësive për mosmarrjen e pagave për gati tre muaj.

“Zoti Ministër na ktheni përgjigje deri në ora 16:00 se kemi kurs gjermanishtes në ora 17:00”, “Ju të gjithë krenoheni për menaxhim të pandemisë, ne ishim ARSYEJA”, “Rrezikova vetën dhe familjen time, për të të shpëtuar ty dhe familjen tënde DHE SI U SHPËRBLEVA”, janë disa nga pankartat që po mbahen në duart e stafit shëndetësorë.

“Ne, infermierët dhe stafi mbështetës të punësuar nga Ministria e Shëndetësisë, në mënyrë paqësore do të shprehim pakënaqësitë tona lidhur me pagat të cilat nuk na janë dhënë për gati tre muaj”, thuhet në njoftimin për protestë.

Ndërsa, ata që nga politika e shoqëria janë cilësuar si “heronjtë e pandemisë”, kanë paralajmëruar ikjen prej Kosovës.

Përfaqësuesja e infermierëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Nurie Ukaj, ka thënë në një deklarim para gazetarëve, se protesta do të vazhdojë deri në marrjen e një përgjigje konkrete nga Ministria e Shëndetësisë.

“Qëllimi i protestës është për mosekzekutimin e pagave dhe asnjëherë nuk kemi marrë një përgjigje zyrtare. Momentalisht nuk largoheni prej këtu pa marr përgjigje zyrtare. Kemi bërë kërkesa shkresa e-maila po asnjëherë nuk kemi marr përgjigje përveç dje e kemi zhvilluar një takim me shefin e kabinetit, Kujtim Salihu krejt çka na ka thanë është që ka optimizëm. Ne punën e vazhdojmë njëjtë ka disa kolegë që e kanë bojkotuar arsye është pamundësia financiare për zhvillimin e mëtutjeshëm të punës”, ka thënë ajo.

Infermierët në protestë para Ministrisë së Shëndetësisë.

Edhe infermieri, Enlirat Duraku, ka thënë se stafi duhet ekzekutuar në kohën e duhur pagat, pasi që ka mundësi që dikush ende varet pikërisht nga kjo pagë.

“Pastaj edhe kontratat e punës, sepse sistemi shëndetësorë ka nevojë për ta dhe pacientët kanë nevojë për kujdesin tonë maksimal, andaj kërkesën e tyre për ekzekutim të pagave dhe vazhdim të kontratave e dimë se në sistemin shëndetësorë ka mungesa të mëdha sidomos për stafin mbështetës”.

“Kemi kërkuar edhe nga ministri i Shëndetësisë, qoftë edhe nga Komisioni Parlamentar e Kuvendi që këta profesionistë të mbeten në punë përmes gjetjes së modaliteteve. Kërkesa e këtyre profesionistëve e i konsiderojmë si legjitime prandaj ne si organizatë e infermierëve i mbështesim në mënyrë të pakontestueshme”, deklaroi Duraku.

Ndërsa, infermierja tjetër, Qëndresa Berisha aktualisht e angazhuar në qendrën e vaksinimit, theksoi se shkaku i problemeve me kontrata dhe paga është detyruar që të nënshkruajë kontratë pune në Gjermani.

“Jemi që dy vite me kontrata mbi vepër, por jemi këtu edhe për shkak të mospagesave. Po maltretohemi me kontrata tre muaj, gjashtë muaj. Po ashtu pagesat tre mujore që janë vonuar, e shumë prej nesh kemi obligime personale gjithashtu kjo vonesa që është prej tre muajsh dhe kjo vazhdimësi e kontratave mbi vepra na ka shkaktuar që më shkëput kontratën”.

“Unë p.sh e kam shkëputur që të zhvendosem më punu në Gjermani. Kisha kërkuar nga ministri i Shëndetësisë që nëse të gjitha gjërat i ka si ministër dhe është i ngritur kisha pas qejf me e pas edhe ndjenjën njerëzore”, ka thënë Berisha.

Mbi 1 mijë profesionistë shëndetësorë bashkë me stafin mbështetës të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë në luftë kundër pandemisë në Kosovë, nuk kanë marrë paga për më shumë se tre muaj.

Këta punonjës ishin marrë në punë me kontratë të përkohshme për gjashtë muaj në mënyrë që të administrojnë me kurën anti COVID dhe të ndihmojnë pacientët e infektuar me këtë virus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore