Lajme

“Mos na largoni nga Kosova” – protestojnë specializantët para MSH-së


Protesta e specializantëve para ministrisë së Shëndetësisë.

Një grup i specializantëve nga Kosova, ka protestuar të enjten para ministrisë së Shëndetësisë, pasi siç kanë vlerësuar, diskriminimi ndaj tyre veç është duke u thelluar edhe më shumë.

“Specializantët që 1 vit në rrugë”, “vlerësoni mjekët”, “mos na largoni nga Kosova”, ishin disa nga mbishkrimet që u vendosën në hyrje të këtij dikasteri.

Kryetari i Këshillit të Specializantëve, Arianit Zajmi, tha se mosplotësimi i kërkesave, gjatë gjithë kohës po shtyn specializantet që të marrin vendim të largohen nga Kosova.

“Na specializantët, përfaqësuesit e të gjitha klinikave, po e sfidojmë të ftohtit për shkak se jemi të detyruar që të kërkojmë të drejtat tonë dhe të na plotësohen kushtet, kushte që mund të realizohen brenda një afati të shkurt, por që po mungon vullneti politik”, tha Zajmi gjatë protestës së specializantëve.

I njëjti, bëri të ditur edhe një problem tjetër që ka sektori i shëndetësisë.

“Ne kemi edhe nëntë specializantët nga Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia, por të cilët po ashtu nuk marrin asnjë pagesë”.

Ndërsa, shtoi se nga takimi me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, i’u është premtuar plotësimi i kërkesave në muajin janar.

“Kemi kërku takim me ministrin e Shëndetësisë, I cili ka thënë se në fillim të janarit do të plotësohen kërkesat tona, por të cilat nuk u realizuan, ne kërkojmë që strategjinë e premtimit institucionet ta kthejnë në strategjinë e veprimit”.

Protesta e specializantëve para ministrisë së Shëndetësisë.

“Kujdestaritë më shumë se dy, do të paguhen përmes një ekstra kontrate nga SHSKUK-ja. Çështja e specializanteve me vetëfinancim nuk do të zgjidhet së paku deri në gusht 2022, për pak kohë do të fillojë punën grupi punues për ndryshimin e udhëzimit administrativ”.

Protesta e specializantëve para ministrisë së Shëndetësisë.

Ndryshe, më nëntë dhjetor, përsëri para ministrisë së Shëndetësisë kanë protestuar numër i madh i specializantëve.

Protesta e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë.

Ata po kanë kërkuar që të paguhen për kujdestari, pasi që Komisioni për Buxhet dhe Financa ua ka refuzuar kërkesën për pagesë të kujdestarisë.

Të ngjashmen protestë, kishte bërë edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë para ministrisë së Shëndetësisë, më 17 shtator.

Edhe, më 2 shtator, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shtesat prej 10 për qind të pagës bruto për stafin shëndetësor, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, ka dalë me gjashtë kërkesa.

FSSHK-ja ka kërkuar që shtesat të rishqyrtohen dhe të merret vendim për rritjen e tyre e që ajo të mos jetë më e ulët se 300 euro. Për këtë ka paralajmëruar edhe padi ndaj Qeverisë për shkelje të ligjit kundër pandemisë.

Mirëpo, pas mos plotësimit të këtyre kërkesave kjo Federatë ka marrë iniciativë për protestë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore