Lajme

“Nuk ka barëra, nuk kemi marrë as shtesa”, protestojnë sindikalistët e shëndetësisë në Kosovë


Protesta e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë ka mbajtur protestë para Ministrisë së Shëndetësisë.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla në një konferencë për media ka deklaruar se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka lënë nën mëshirën e fatit punëtorët shëndetësor.

“Protesta jonë është e ndarë në dy pjesë, është pjesa e parë që po zhvillohet para Ministrisë së Shëndetësisë dhe pjesa e dytë e cila do të zhvillohet në ora 13:00 para Qeverisë. Dhe pyetja është pse? Mu në këtë ndërtesë ministri Vitia për gjatë kësaj kohe, në kohë të pandemisë e ka neglizhuar totalisht punëtorin shëndetësor dhe ka ndërpre çdo dialog social”, ka thënë Syla në konferencë për media

Ai potencoi se, “FSSHK nuk ka pasur rrugëdalje tjetër përveç se të dalim në protestë”.

“Është momenti i fundit që ministri Vitia të deklarohet a do të jetë ministër i të gjithëve, apo do të na lë në mëshirën e fatit, nuk është e vërtetë se kemi mjaftueshëm barna, nuk është e vërtetë që na kanë dhënë shtesat”, pohoi ai.

Syla shtoi se, “ka qenë vetëm një takim i vetëm kur ne kemi ofruar ndihmë për vaksina, dhe asgjë më tepër. Si rrjedhojë e kësaj, zotëri Vitia as që na ka ftuar të vazhdohet me dialog social dhe kërkesat tona të shkojnë në Qeveri, si e tillë kemi një ofendim dhe degradim të punëtorëve shëndetësor”.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla.

Ndërsa, sipas tij kjo që po ndodh është shkelje e të drejtave të punëtorëve shëndetësor.

“Kemi shkelje të drejtave të mjekëve, infermierëve, specializantëve dhe të gjithë zinxhirit komandues që shkon vetëm e vetëm për neglizhencën e ministrit Vitia, i cili punëtorin shëndetësor e ka lënë nën mëshirën e menaxhereve të tij”.

Më 2 shtator, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shtesat prej 10 për qind të pagës bruto për stafin shëndetësor, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, ka dalë me gjashtë kërkesa.

FSSHK-ja ka kërkuar që shtesat të rishqyrtohen dhe të merret vendim për rritjen e tyre e që ajo të mos jetë më e ulët se 300 euro. Për këtë ka paralajmëruar edhe padi ndaj Qeverisë për shkelje të ligjit kundër pandemisë.

Protesta e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë.

Mirëpo, pas mos plotësimit të këtyre kërkesave kjo Federatë ka marrë iniciativë për protestë.

Po ashtu, sindikata e Infermierëve, Oda dhe shoqatat e infermierëve të psikiatrisë, neurologjisë e shoqata të tjera kanë paralajmëruar se gjatë muajit shtator të vitit 2021 do të mbajnë protesta për të realizuar kërkesat e tyre.

Miratimi i ligjit të pagave dhe ligji për infermierët janë dy nga këto kërkesa.

Ndërkaq, shtatë milionë euro janë ndarë për lehonat dhe shtesat e fëmijëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore