Lajme

300 euro shtesa, kërkesa e punëtorëve të shëndetësisë për Qeverinë e Kosovës


Ilustrim

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shtesat prej 10 për qind të pagës bruto për stafin shëndetësor, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, ka dalë me gjashtë kërkesa.

FSSHK-ja ka kërkuar që shtesat të rishqyrtohen dhe të merret vendim për rritjen e tyre e që ajo të mos jetë më e ulët se 300 euro. Për këtë ka paralajmëruar edhe padi ndaj Qeverisë për shkelje të ligjit kundër pandemisë.

“Shtesat mbi pagë të rishqyrtohen dhe të merret vendim për rritjen e shtesave të cilat duhet të paguhen në mënyrë retroaktive nga muaji Qershor 2021 deri në përfundimin e Pandemisë, jo më e ulët se 300 euro në të kundërtën pason Padia për shkelje të Ligjit nr. 07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e FSSHK-së.

Si pikë të dytë, FSHSK-ja ka kërkuar procedimin urgjent të Ligjit mbi Pagat.

“Urgjentisht të procedohet Ligji mbi pagat(ju rikujtojmë se në Planin Legjislativ për vitin 2021 është paraparë të aprovohet në Qeveri me datë 29.10.2021) dhe të ftohen përfaqësuesit e punëtorëve shëndetësor”, vijon njoftimi.

Sipas FSHSK-së, ky ligj “duhet të miratohet sivjet e të nis së implementuari që nga janari i vitit 2022”.

Në anën tjetër, për këto i ka dhënë Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, afat deri më 13 shtator që të përgjigjet.

Dhe nëse s’përgjigjet, FSHSK-ja ka thënë se “do të ftojë të gjitha organizatat si motra që t’i bashkangjiten në reagim sindikal”.

“Duke i shprehur ngushëllime të gjitha familjarëve të viktimave nga COVID-19 dhe të gjithë infektuarve shërim të shpejtë si pasojë e keqmenaxhimit, i lutemi popullatës që të vaksinohen dhe të na mirëkuptojnë sepse edhe ne jemi njerëz e kemi familje”, përfundon njoftimi.

Në anën tjetër, Sindikata e Infermierëve, Oda dhe shoqatat e infermierëve të psikiatrisë, neurologjisë e shoqata të tjera kanë paralajmëruar se gjatë muajit shtator të vitit 2021 do të mbajnë protesta për të realizuar kërkesat e tyre.

Miratimi i ligjit të pagave dhe ligji për infermierët janë dy nga këto kërkesa.

Sipas tyre, vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e shtesave prej 60 eurove “është fyes”, të cilin edhe e kanë refuzuar.

Kryetari i Sindikatës së infermierëve të Kosovës, Përparim Berisha ka thënë se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre derisa ata të marrin dritën e gjelbër nga institucionet përkatëse.

“Do të protestojmë dhe do të vazhdojmë me protesta e greva, mirëpo për shkak të situatës në të cilën ndodhet vendi dhe për shkak të të infektuarve me COVID-19, kemi vendosur që varësisht nga situata gjatë këtij muaji të jemi në kontakt me Odën e Infermierëve dhe shoqatat e infermierëve që t’i harmonizojmë qëndrimet tona. Protesta do të mbahet sapo të bien rastet me të infektuar”, ka thënë ai para mediave.

“Ne nuk kemi kërkuar shtesa asnjëherë, kemi kërkuar që të shtyhet përpara ligji i pagave dhe ai i infermierëve. I kemi refuzuar sepse janë shumë të ulëta. Paramendojeni një infermier që kujdeset për pacientët me COVID-19 deri në 27 pacientë, paguhet vetëm 18 euro për 12 orë punë. Kjo është e mjerueshme”.

Në mbështetje të kësaj proteste është edhe Kryetari i Odës së Infermierëve, Naser Rrustemi, i cili ka thënë se kërkesat e tyre janë legjitime dhe duhet të plotësohen.

“Do të jemi në përkrahje të sindikatës. Sot morëm vendim që së bashku me shoqatat e sindikatën që në shtator të organizojmë protestë. Nuk do të tërhiqemi në asnjë moment deri në realizimin e të gjitha kërkesave”, është shprehur ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore