Lajme

“Mjekët t’u ik, ministri në Amerikë”, protestojnë specializantët


Protesta e specializanteve para ministrisë së Shëndetësisë.

Sërish specializantët e angazhuar në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, kanë protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë, të enjten e 26 majit.

Ata kanë kërkuar realizimin e kërkesave të tyre.

Ndërsa, kanë thënë se kërkesat e tyre janë paraqitur që nga muaji dhjetor, mirëpo që të njëjtat nuk janë realizuar pavarësisht premtimit të ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, se ato do të kryhen në fillim të janarit.

“Specializantët kanë katër kërkesa kryesore. E para është kalimi i kategorisë së specializantëve nga vetëfinancimi në të rregullt, e dyta pagesa e kujdestarive, e treta miratimi ligjit për paga dhe çështja e ndryshim plotësimit të udhëzimit administrativ për shkollim specialistik që i bën të mundur këto kërkesa që ne po i kërkojmë”, ka thënë kryetari i Këshillit të specializantëve, Arianit Zajmi.

Protesta e Specializanteve.

Ndër të tjera, zgjidhje kanë kërkuar edhe për specializantët që kanë mbetur në vetëfinancim.

Ndryshe, të mërkurën e 25 majit, infermierët dhe stafi mbështetës i angazhuar në shëndetësi ndaj luftës me COVID-19, kanë protestuar para objektit të Ministrisë së Shëndetësisë, për shkak të pakënaqësive për mosmarrjen e pagave për gati tre muaj.

“Zoti Ministër na ktheni përgjigje deri në ora 16:00 se kemi kurs gjermanishtes në ora 17:00”, “Ju të gjithë krenoheni për menaxhim të pandemisë, ne ishim ARSYEJA”, “Rrezikova vetën dhe familjen time, për të të shpëtuar ty dhe familjen tënde DHE SI U SHPËRBLEVA”, janë disa nga pankartat që janë mbajtur në duart e stafit shëndetësorë.

Më 27 janar, një grup i specializantëve nga Kosova, kishte protestuar para ministrisë së Shëndetësisë, pasi siç kishin vlerësuar, diskriminimi ndaj tyre ishte vetëm duke u thelluar edhe më shumë.

Protesta e specializanteve para ministrisë së Shëndetësisë.

Mbi 1 mijë profesionistë shëndetësorë bashkë me stafin mbështetës të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë në luftë kundër pandemisë në Kosovë, nuk kanë marrë paga për më shumë se tre muaj.

Këta punonjës ishin marrë në punë me kontratë të përkohshme për gjashtë muaj në mënyrë që të administrojnë me kurën anti COVID dhe të ndihmojnë pacientët e infektuar me këtë virus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore