Shqipëria

Mbërritja e refugjatëve afganë, Ambasada e SHBA-ve: Faleminderit Shqipëri!


“Në raste si këto, ne nuk kemi kombësi, fe, ngjyrë ose racë. Ne jemi popull që u japim një ndihmë njerëzve tanë. Faleminderit, Shqipëri!”.

Kështu shkruhej në një postim në median sociale Twitter, të premten e 27 gushtit nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

Nga Ambasada u vlerësua mikpritja dhe strehimi që po bën qeveria shqiptare për refugjatët afganë, të cilët mbërritën në orët e para të mëngjesit të 27 gushtit.

“Mundësia për të jetuar dhe për të pasur një të ardhme. Dhe për këtë, ne si Ambasada e SHBA-ve në Tiranë jemi mirënjohës për bujarinë dhe mikpritjen e pamasë të Shqipërisë dhe njerëzve të saj”, vijonte postimi.

Nga ana tjetër, Ambasada Amerikane kujtoi ushtarët, të cilët humbën jetën në sulmin terrorist në Kabul.

“Sot, flamuri amerikan në Ambasadë është ulur në gjysmë shtizë, ndërsa ne mbajmë zi për pjesëtarët e shërbimit amerikan që humbën jetën në sulmet e tmerrshme terroriste në Kabul”.

Më tej vijonte se ata po mbajnë zi për afganët, përfshirë fëmijët e vegjël, të cilët vdiqën në këtë sulm të egër.

“Zemrat tona dhembin për jetën e heronjve tanë, të humbur në shërbim të lirisë dhe në shërbim të SHBA-ve, dhe jetën e qytetarëve afganë, të humbur në kërkim të sigurisë dhe një të ardhme, për të cilën ne të gjithë kemi të drejtë”.

Ndërkaq, theksoi faktin se, “kjo është arsyeja pse sot zemrat tona janë të mbushura me pikëllim, por ato janë gjithashtu të mbushura me mirënjohje”.

Me këtë të fundit, ata u drejtuan gjestit të shqiptarëve që pritën refugjatët afganë.

“Grupi i parë i shtetasve afganë që zbarkuan mbrëmë në Tiranë janë më shumë se të evakuuar. Janë jetë njerëzish që u shpëtuan nga pasojat potencialisht tragjike”.

Postimi u përmbyll se të ardhurit ishin, “gra, burra dhe fëmijë, të cilëve u ofrua diçka që ne të gjithë e marrim si të mirëqenë, një jetë”.

Refugjatët me pikënisje Kabulin kanë kryer udhëtimin drejt Shqipërisë me avionin Almastria, të kompanisë Universal Airlines.

Ardhje e tyre vjen në një çast shumë të tensionuar në kryeqytetin afgan. Gjashtë sulme vetëvrasëse me bomba janë regjistruar aty në pak orë. Numri i viktimave ka shkuar rreth mbi 100, prej të cilëve 13 amerikanë.

Grupi i parë, pas kontrolleve mjekësore, ka mbërritur në strukturën hoteliere ku do të vendosen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore