Shqipëria

Mazhoranca bojkotoi Komisionin e Shëndetësisë, Vokshi: Akt i rëndë ndaj parlamentarizmit


Kryetarja e Komisionit hetimor të Shëndetësisë, Albana Vokshi , ka deklaruar se bojkoti i mbledhjes nga ana e mazhorancës, është një akt i rëndë ndaj parlamentarizmit.

Ajo shtoi se po minohet mbarëvajtja e punëve të komisionit.

“Mazhoranca bojkotoi komisionin pa asnjë arsye legjitime. Tjetër akt i rëndë ndaj parlamentarizmit, kontrollit parlamentar dhe hetimor. Po minohet mbarëvajtja e punëve të komisionit. Mbledhja e fundit u mbyll zyrtarisht nga ana ime dhe nuk miratuam dot kërkesat për informacion, ende nuk ka asnjë kërkesë për informacion të miratuar pasi ligji është bërë në mënyrë të tillë sa për çdo kërkesë duhet vendim i ndërmjetëm me shumicën e deputetëve të pranishëm”.

Përfaqësuesit e mazhorancës në Komisionin Hetimor kanë paralajmëruar bojkot sa i takon mbledhjes për kontratat në shëndetësi.

Ata kanë thënë se nuk do t’i përgjigjen thirrjes së kryetares së komisionit Albana Vokshi, për sa kohë në mënyrë të përsëritur vijohet me praktikën e caktimit të rendit të ditës në mënyrë të pakoordinuar dhe padakordësuar.

“Edhe kësaj radhe, caktimi i rendit të ditës dhe orës e datës së mbledhjes është vendosur pa qenë ne në mbledhje. Ne kemi vendosur tashmë deklarimin e hapur të hetimit duke miratuar Planin e Hetimit bashkë me kalendarin, ku pasqyrohen qartë të gjithë hapat hetimorë të komisionit”, thotë PS.

Gjithashtu, bëhet me dije se “kemi miratuar kërkesat për marrje provash të opozitës dhe mazhorancës”.

“Për sa kohë mbledhja në fjalë është fuqi, duhet respektuar vendimmarrja e anëtarëve të komisionit. Çdo shfaqje viktimizimi nga opozita është shprehje e paaftësisë për të ndjekur procedurën ligjore dhe për të kryer një hetim të plotë e serioz. Opozita duhet të heqë dorë nga hetimi partiak dhe t’i kthehet hetimit parlamentar ashtu siç e kërkon ligjit sepse ne kemi vendosur të vijojmë me hetimet dhe të respektojmë kalendarin e Planit Hetimor”.

Në mbledhjen e fundit u diskutua që palët të bien dakord për një draft të dakordësuar që të integrojë të dy draftet për planet e hetimit.

Kryetarja e Komisionit Hetimor për Shëndetësisë Albana Vokshi kërkoi që në mbledhje të miratohen kërkesat për informacion.

“Që në mbledhje kemi pasur gati kërkesat për informacion. Pikën e dytë të kalojmë kërkesat për informacion të cilat janë shqyrtuar edhe nga të 4 ekspertët. Pastaj kalojmë tek pika 3”, tha Vokshi.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste  kërkoi kohë që ti lexojnë kërkesat për informacion në mënyrë që t’i miratojnë.

“Kërkesat për informacion ne nuk i kemi. Do t’ju lutesha që kërkesat të depozitohen para. Nëse si keni ekspertët janë ul ekspertët kanë punuar dy ditë me radhë. Të njihet çdo anëtar në lidhje me kërkesat për informacion, të depozitohen në sekretari, që të njihen të gjithë anëtarët”, thotë PS.

Anëtari i PS-së, Petro Koçi tha gjatë mbledhjes që ky komision të mos harrohet që të trajtohet si hetim parlamentar dhe jo penal.

“Ky komision nuk ka komandant apo komandante por ka një drejtues. Sipas nenit 10 kryetari dhe zv. kryetari drejtojnë të gjithë veprimtarinë e këtij komisioni. Po lexoj atë që nuk lexuat ju (i drejtohet Albana Vokshit)… do e ftoja komisionin që më shumë të fokusohet te fenomenet sesa të trajtohet si hetim penal se këtë e bën tjetër kush”.

Ndërkohë deputeti i PD Saimir Korreshi nuk i ka kursyer batutat.

“Ideja është që a të ulemi të bëjmë një produkt? Na thoni se ku do ta montojmë dhomën e rrëfimit, meqë ministrat do rrëfejnë atje. Do të rrëfehen tek e tek. Pse çfarë jemi ne Sigurimi i Shtetit që do të merren ministrat tek e tek? Pse tek e tek? Do ndajmë lekë ne atje, do bëjmë pazare? Ne nuk po biem dakord për kalendarin, do jetë me foton e Interit apo Milanit”, tha ai.

Ndërsa, kryetarja e komisionit, pati disa diskutime me sekretarin Klevis Xhoxhi dhe nënkryetarin Plarent Ndreca.

“Nuk kemi ardhur këtu për tu tallur, bëhuni pak seriozë”, ka thënë Vokshi.

Ndreca i ka thënë se “duhet të kishim një kërkesë të dakordësuar që të binim dakord menjëherë këtu”.

“Do dakordësinë tonë apo jo? Se po bëjmë debate bazike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore