Lajme

Marko Gjuriç kryeministër i ri i Serbisë?


Marko Gjuriç gjate arrestimit ne Prishtine

Emri i Marko Gjuriç, ambasadorit aktual të Serbisë në Uashington dhe ish drejtor i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, është emri më i përfolur në listën e ngushtë të kandidatëve për kryeministër të ri të këtij shteti, shkruajnë mediat serbe.

Gazeta Danas shkruan se ka mësuar jo zyrtarisht që gjasat më të mëdha për këtë pozitë i ka Gjuriç.

Në rast se presidenti i Partisë Progresiste që është edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, vendos t’ia besojë përbërjen e qeverisë Gjuriç-it, edhe ish-kryeministrja Ana Brnabiç nuk do të mbetej pa karrige, por do të merrte një post ministror. Me shumë gjasa në krye të diplomacisë serbe, sipas burimeve të Danas.

Konsultimet për ekipin e ri ekzekutiv startuan në fillim të kësaj jave dhe dy ditët e para takimit u rezervuan për marrëveshjet brenda Partisë Progresive Serbe, e cila do të propozojë emrin e mandatarit në bazë të shumicës që ka në Kuvendin e Serbisë.

“Burimet tona”, shkruan Danas, “thonë se mundësia që Marko Gjuriç të marrë postin e kryeministrit është në qarkullim”.

Marko Gjuriç gjate arrestimit ne Kosove

Gjuriç mbahet mend për arrestimin nga njësia speciale e Policisë së Kosovës, kur ilegalisht po mbante një tubim me qytetarët serbë në Veri.

Si pati ndodhur arrestimi i Gjuriç?

Marko Gjuriç, së bashku me disa zyrtarë të lartë serbë, patën hyrë në Kosovë megjithëse qeveria e Kosovës ua kishte ndaluar hyrjen në vend dhe e paralajmëroi se “nëse hynë në Kosovë në mënyrë ilegale, ai do të arrestohet”.

Atëherë, viti 2018, ministër i Punëve të Jashtme ishte Behgjet Pacolli.

“Për të hyrë sot në Kosovë nuk kanë leje asnjëri prej tyre, as Gjuriç dhe as Vulin. Kushdo qe futet ilegalisht në Kosovë do të arrestohet!”, kishte shkruar Pacolli në  profilin e tij në Facebook.

Ashtu kishte ndodhur.

Marko Gjuriq nuk kishte përfillur  urdhrat e Prishtinës zyrtare, kishte hyrë në Kosovë nëpërmjet rrugëve ilegale për të marrë pjesë në një tubim me qytetar që zhvillohej në veri të Mitrovicës.

Njësitë speciale të policisë së Kosovës ndërhynë për të shpërndarë tubimin, përdorën gaz lotsjellës dhe arrestuan në atë kohë shefin e zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore