Lajme

Macron: Putin-i më ka dhënë garanci se nuk do ta pushtojë Ukrainën


“Unë kam marrë garanci nga presidenti rus, Vladimir Putin, se nuk do të ketë një përshkallëzim të situatës në Ukrainë”.

Kështu është shprehur presidenti francez, Emmanuel Macron, në një konferencë për mediat, pak para se të takonte liderin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Macron e ka kthyer këtë javë në një turne diplomatik.

Ai mbërriti në kryeqytetin ukrainas, të martën e 8 shkurtit pas gati gjashtë orësh bisedimesh me Putin në Moske.

Gjatë konferencës më Zelensky-n, Macron ravijëzoi se tani ekziston mundësia për t’i bërë “të ecin përpara këto negociata”.

Sipas tij midis Rusisë dhe Ukrainës mund të shihet një “zgjidhje konkrete” për uljen e tensioneve.

Ndërkohë, Zelensky i bëri thirrje Putin-it të marrë masa serioze për të ulur tensionet.

“Unë nuk u besoj shumë fjalëve, besoj se çdo politikan mund të jetë transparent duke ndërmarrë hapa konkretë”, tha ai.

Macron më pas u nis për në Berlin, ku u bashkua me liderët e Gjermanisë dhe Polonisë për të shprehur mbështetjen e tyre të përbashkët për sovranitetin ukrainas.

Udhëheqësit u takuan si pjesë e një samiti të grupit të Trekëndëshit të Weimarit, i formuar 31 vjet më parë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë –  për të ndihmuar në përballimin e sfidave me të cilat përballet Evropa.

Situata në Ukrainë

Rusia ka mohuar çdo plan për të pushtuar Ukrainën, por ka mbledhur më shumë se 100 mijë trupa pranë kufijve të saj.

Zyrtarët amerikanë besojnë se ajo ka mbledhur 70% të forcave ushtarake të nevojshme për një pushtim në shkallë të plotë.

Tensionet midis Rusisë, Ukrainës dhe Perëndimit vijnë gati tetë vjet pasi Rusia aneksoi gadishullin jugor të Krime-së të Ukrainës.

Moska akuzon Qeverinë ukrainase për dështimin në zbatimin e marrëveshjes së Minskut – një marrëveshje ndërkombëtare e sponsorizuar nga Gjermania dhe Franca për të rivendosur paqen në lindje, ku rebelët e mbështetur nga Rusia kontrollojnë një pjesë të territorit dhe të paktën 14 mijë njerëz janë vrarë që nga viti 2014.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore