Shqipëria

Lufta në Etiopi: Vendi i trashëgimisë botërore Lalibela bie në duart e rebelëve


Një luftëtar besnik i Frontit Çlirimtar Popullor Tigray 

Rebelët e rajonit verior të Tigray-it në Etiopi kanë rimarrë qytetin historik të Lalibela-s. Lajmin e kanë bërë të ditur dëshmitarët atje.

Ata kanë deklaruar se nuk pati shkëmbim zjarri pasi qyteti – një vend i Trashëgimisë Botërore të OKB-së – u dorëzua.

Lalibela, shtëpia e kishave të lashta të gdhendura në shkëmb, ishte kapur nga forcat tigrayane në gusht, por ata humbën kontrollin ndaj qeverisë federale 11 ditë më parë.

Forcat federale kohët e fundit kishin fituar në luftën civile njëvjeçare, e cila ka shkaktuar një krizë humanitare.

Turistët teksa zbresin nga shkallët e pjerrëta të shkëmbit në një kishë në Lalibela në Etiopi, 2010 .

OKB-ja ka deklaruar më herët se Etiopia Veriore po përballet me një uri masive me më shumë se 9 milionë njerëz në nevojë për furnizime kritike ushqimore në rajonet Tigray, Amhara dhe Afar.

Një dëshmitar i tha agjencisë ndërkombëtare të lajmeve “Reuters” se forcat aleate të qeverisë federale filluan të largoheshin nga Lalibela të shtunën mbrëma.

Fronti Çlirimtar i Popullit Tigray (TPLF) tha në një deklaratë të cituar nga agjencia e lajmeve “AFP” se kishte nisur “kundërofensiva të gjera”, duke përfshirë një qytet të quajtur Gashena, afër Lalibela-s.

Nga ana tjetër qeveria nuk ka dhënë asnjë deklaratë.

Javën e kaluar, banorët vendas i thanë “AFP-së” se ndërsa luftëtarët tigrayan respektonin vendet e shenjta, ata ua vështirësuan jetën njerëzve të qytetit, i cili ndodhet në rajonin e Amhara-s.

11 kishat monolite të shpellave në Lalibela, të gdhendura në shkëmb që në shekujt e 12-të dhe të 13-të, u përcaktuan si një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s në 1978-ën.

Në javët e fundit, kryeministri Abiy Ahmed ka qenë në vijën e frontit dhe pas një sërë përparimesh u tha ushtarëve në fund të muajit të kaluar: “Armiku është mundur. Detyra jonë e mbetur është të shpartallojmë armikun dhe t’i shkatërrojmë ata”.

Ushtarët e qeverisë etiopiane

Luftimet shpërthyen mbi një vit më parë midis trupave qeveritare dhe TPLF-së, e cila dominoi Etiopinë për dekada dhe tani kontrollon pjesën më të madhe të Tigray-it.

Abiy dërgoi trupa në rajonin Tigray për të shuar TPLF-në pasi tha se kishte sulmuar kampet e ushtrisë.

Por në qershor të këtij viti, rebelët u rikthyen, duke rimarrë pjesën më të madhe të Tigray-it dhe duke përparuar në rajonet fqinje të Amhara-s dhe Afar-it.

Kisha e Shën Gjergjit (ose Bet Giorgis), një nga kishat në Lalibela në Etiopi.

Frika e rebelëve që po afroheshin në Addis Abeba bëri që disa vende, përfshirë SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, t’u kërkonin qytetarëve të tyre të largoheshin nga Etiopia muajin e kaluar.

Që atëherë, ushtria federale ka rimarrë një numër të qyteteve kyçe në rrugën që të çon në kryeqytet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore