Lajme

Kush janë luftëtarët e Tigray-t dhe pse Etiopia është në luftë me ta?


Një vit më parë, kryeministri etiopian, Abiy Ahmed, nisi një fushatë ushtarake kundër luftëtarëve tigrayanë, duke premtuar një fitore të shpejtë. Por, tigrayanët arritën ta kthenin “përgjigjen”.

Që nga fillimi i nëntorit 2020, qeveria etiopiane dhe luftëtarët tigray kanë shkëmbyer zjarr në një konflikt që ka marrë mijëra jetë dhe ka lënë më shumë se 400 mijë njerëz të përballen me urinë, sipas një vlerësimi të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara(OKB).

Konflikti është përshkallëzuar me shpejtësi që nga qershori, kur luftëtarët tigrayanë filluan të rimarrin pjesën më të madhe të Tigray-t dhe të zgjerohen në rajonet fqinje. Luftëtarët kanë arritur të rekrutojnë aleatë dhe po i afrohen kryeqytetit, Addis Abeba.

Nga milicianë në sundimtarë

Në mesin e viteve 1970, një grup i vogël milicianësh themeluan Frontin Çlirimtar të Popullit Tigray (TPLF). Me një ideologji nacionaliste të krahut të majtë, ata u zotuan se do të luftonin për të drejtat e tigrayanëve, një grup relativisht i vogël etnik që përbën vetëm 5% të popullsisë dhe ishte margjinalizuar prej kohësh nga qeveria qendrore.

Një luftëtar besnik i Frontit të Çlirimit të Popullit Tigray (TPLF), majtas, përshëndet njerëzit në një rrugë në qytetin Hawzen, të kontrolluar në atë kohë nga grupi, në rajonin Tigray të Etiopisë veriore, maj 2021.

Gjatë viteve 1980, TPLF u shfaq si “sfiduese e frikshme” e diktaturës së atëhershme ushtarake marksiste të Etiopisë. Grupi udhëhoqi një aleancë të organizatave të milicisë, Fronti Demokratik Revolucionar Popullor Etiopian (EPRDF), që përmbysi regjimin e mbështetur nga Bashkimi Sovjetik në 1991.

Aleanca më pas filloi të drejtonte Etiopinë nën një sistem federal, me TPLF që mbante pushtetin mbi grupet e tjera dhe dominonte politikën për gati tre dekada.

Udhëheqësi tigrayan, Meles Zenawi, ishte presidenti i përkohshëm i Etiopisë nga viti 1991 deri në zgjedhjet e pakontestuara më 1995, kur ai u zgjodh kryeministër. Ai sundoi vendin deri në vdekjen e tij në 2012, ku u pasua nga Hailemariam Desalegn.

Gjatë kësaj kohe, Etiopia pa rritje ekonomike.

Qeveria e EPRDF-së e udhëhoqi vendin përmes thatësirës dhe urisë periodike, dhe luftës kufitare 1998-2000 me fqinjin verior, Eritrea-n.

Të drejtat e njeriut u përkeqësuan gjatë kësaj kohe, me grupet e opozitës që ankoheshin për persekutim dhe korrupsion, gjë që shkaktoi pakënaqësi publike në rritje.

Abiy Ahmed-kryeministër

Në fillim të vitit 2018, pas disa vitesh protestash të shpeshta antiqeveritare nga grupe të ndryshme etnike që kishin dëmtuar rëndë legjitimitetin e qeverisë EPRDF, Hailemariam dha dorëheqjen. EPRDF zgjodhi Abiy Ahmed, nga grupi etnik Oromo, si pasues të tij dhe ai u zgjodh shpejt kryeministër.

Ahmed, një politikan jo-tygraian me pak lidhje me TPLF-në, gëzonte popullaritet të gjerë.

Abiy Ahmed

Ai rrëzoi shumë zyrtarë tigrayan, akuzoi disa për korrupsion dhe paraqiti një sërë reformash politike që mënjanuan TPLF-në. Në fund të vitit 2019, Abiy shpërndau qeverinë e koalicionit EPRDF dhe u zhvendos për të krijuar Partinë e re të Prosperitetit (PP). Duke refuzuar të bashkohej me grupin, TPLF u kthye në fortesën e saj.

Pasi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2020 u shtynë nga pandemia COVID-19, TPLF dhe disa liderë të tjerë të opozitës akuzuan Ahmed për vonimin e votimeve për të qëndruar në pushtet.

Megjithë vonesën, zyrtarët në rajonin Tigray shkuan përpara me zgjedhjet rajonale në shtator 2020. Një muaj më vonë, qeveria federale filloi të ndalonte fondet nga administrata rajonale.

Në fillim të nëntorit 2020, forcat e TPLF u akuzuan se kishin sulmuar dhe plaçkitur bazat ushtarake federale në rajon. Ahmed nisi një fushatë ushtarake në rajonin Tigray, të njohur si Operacioni i Zbatimit të Ligjit, dhe premtoi të mposhtte me shpejtësi luftëtarët e TPLF.

Që nga qershori 2021, ushtria etiopiane ka pësuar pengesa të vazhdueshme dhe është detyruar të tërhiqet nga Tigray. Tashmë vija e frontit po afrohet gjithnjë e më shumë me kryeqytetinh, Addis Abeba, ku kryeministri u bën thirrje banorëve të jenë gati për të mbrojtur vendin.

Parada ushtarake etiopiane në një tubim të organizuar nga autoritetet lokale për të treguar mbështetje për Forcën Kombëtare të Mbrojtjes Etiopiane (ENDF), në sheshin Meskel në qendër të qytetit Addis Abeba, Etiopi.

Luftëtarët Tigray mund të kenë përparësinë, por kapja e kryeqytetit Addis Abeba-s nuk do të jetë e lehtë. Ata ka të ngjarë të përballen me rezistencë nga etiopianë të tjerë, të cilët kanë frikë nga rikthimi në pushtet i një partie që sundoi vendin për gati tre dekada.

Marrë nga Deutsche Welle, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore