Lajme

Konflikti në Tigray: Arrestohen 16 punonjës të OKB-së, akuzohen për “akt terrorist”


Një luftëtar besnik i Frontit të Çlirimit të Popullit Tigray (TPLF)

Të paktën 16 punonjës lokalë të Kombeve të Bashkuara janë arrestuar në kryeqytetin e Etiopisë të mërkurën e 10 nëntorit.

Lajmin e ka konfirmuar vetë OKB-ja dhe një zëdhënës i qeverisë pohoi se ata u mbajtën për “pjesëmarrjen e tyre në akte terroriste”, nën një gjendje të jashtëzakonshme. Ndërsa lufta njëvjeçare e vendit është përshkallëzuar dhe tigrayanët etnikë po përballen me një valë të re arrestimesh.

Të gjithë punonjësit e arrestuar janë tigrayan, tha një punonjës humanitar për agjencinë e lajmeve ndërkombëtare “Associated Press”, duke folur në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes.

Nga ana tjetër OKB-ja deklaroi se nuk iu është komunikuar arsyeja për arrestimet, por tigrayanët, përfshirë avokatët, kanë raportuar ndalime të përhapura në Addis Ababa që nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, duke thënë se njerëzit po merren vetëm në bazë të përkatësisë së tyre etnike.

“Ata po mbahen në objekte kundër vullnetit të tyre”, tha të martën zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, duke shtuar se disa u arrestuan gjatë ditëve të fundit në një vizite në Etiopi nga shefi humanitar i OKB-së.

Dujarric shtoi më tej se gjashtë anëtarë të tjerë të stafit u arrestuan, por më pas u liruan dhe një numër i vartësve të punonjësve gjithashtu u arrestuan. OKB-ja i ka kërkuar Ministrisë së Jashtme të Etiopisë lirimin e menjëhershëm të tyre.

Zëdhënësi i qeverisë, Legesse Tulu, tha se ndalimet ndodhën “për shkak të keqbërjes së tyre dhe pjesëmarrjes së tyre në aktin terrorist”, pa dhënë detaje. Ai tha se nuk ka lidhje “me zyrën dhe punën e tyre”.

Qeveria e Etiopisë nga ana e saj ka thënë se po arreston njerëz të dyshuar se mbështesin forcat rivale në Tigray, të cilët kanë luftuar kundër qeverisë vitin e kaluar.

Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha se “nëse raportet janë të vërteta”, ndalimet e njerëzve bazuar në përkatësinë etnike janë “plotësisht të papranueshme”.

Komisioni Etiopian për të Drejtat e Njeriut, i krijuar nga qeveria, këtë javë vuri në dukje me shqetësim se vala e re e arrestimeve “dukej se bazohej në përkatësinë etnike” dhe përfshinte të rritur të moshuar dhe nëna me fëmijë. Personat e arrestuar përfshinin priftërinj, murgj dhe klerikë të tjerë në kishën ortodokse etiopiane.

Anëtarët e kapur të Forcave të Mbrojtjes Kombëtare Etiopiane nga Forcat Tigray nëpër rrugë drejt burgut ndërsa qindra banorë shikojnë, në Mekele, në rajonin Tigray të Etiopisë veriore.

Të dërguarit nga Bashkimi Afrikan (AU) dhe Shtetet e Bashkuara po përpiqen të inkurajojnë një armëpushim të menjëhershëm nga qeveria e Etiopisë dhe forcat Tigray që dominonin prej kohësh qeverinë kombëtare përpara se kryeministri Abiy Ahmed të vinte në pushtet.

Qeveria në fillim të këtij viti i shpalli forcat Tigray një grup terrorist.

I dërguari i AU-së tha të hënën se ai sheh një “dritare të vogël mundësish” pasi palët ndërluftuese të dyja pajtohen se kërkohet një zgjidhje politike.

Por ambasadori i Etiopisë në OKB tha se arritja e një zgjidhjeje nuk do të ishte e lehtë, pasi ekziston qeveria në njërën anë dhe një “grup kriminal” nga ana tjetër.

Mijëra njerëz janë vrarë në luftën njëvjeçare, mijëra të tjerë janë arrestuar dhe miliona janë zhvendosur. 

Ndërkohë, qindra mijëra njerëz në rajonin Tigray përballen me kushtet e urisë nën një bllokadë qeveritare që synon të mohojë ushqimin, ilaçet dhe ndihmat e tjera që të arrijnë potencialisht forcat Tigray.

Një tank i shkatërruar shihet në anë të rrugës në jug të Humera, në një zonë të Tigray perëndimore të aneksuar nga rajoni Amhara gjatë konfliktit në vazhdim, në Etiopi, të shtunën, 1 maj 2021.

Gjatë vizitës së tij katër-ditore në Etiopi, shefi humanitar i OKB-së, Martin Griffiths takoi kryeministrin dhe vizitoi “autoritetet de facto” në Tigray për të mbrojtur miliona njerëz në nevojë.

Qeveria e Etiopisë muajin e kaluar dëboi shtatë punonjës të OKB-së nga vendi, duke i akuzuar ata pa prova për fryrje të rreme të shkallës së krizës. Masa u dënua nga vende të tjera dhe agjenci ndërkombëtare.

Kush janë luftëtarët e Tigray-t

Në mesin e viteve 1970, një grup i vogël milicianësh themeluan Frontin Çlirimtar të Popullit Tigray (TPLF). Me një ideologji nacionaliste të krahut të majtë, ata u zotuan se do të luftonin për të drejtat e tigrayanëve – një grup relativisht i vogël etnik që përbën vetëm 5% të popullsisë – dhe ishte margjinalizuar prej kohësh nga qeveria qendrore.

Gjatë viteve 1980, TPLF-ja u shfaq si “sfiduese e frikshme” e diktaturës së atëhershme ushtarake marksiste të Etiopisë. Grupi udhëhoqi një aleancë të organizatave të milicisë, Fronti Demokratik Revolucionar Popullor Etiopian (EPRDF), që përmbysi regjimin e mbështetur nga Bashkimi Sovjetik në 1991-shin.

Refugjat Tigrayan në Hamdayet, Sudanin lindor, pranë kufirit me Etiopinë, më 21 mars 2021.

Aleanca më pas filloi të drejtonte Etiopinë nën një sistem federal, me TPLF-në që mbante pushtetin mbi grupet e tjera dhe dominonte politikën për gati tre dekada.

Qeveria e EPRDF-së e udhëhoqi vendin përmes thatësirës dhe urisë periodike, dhe luftës kufitare 1998-2000 me fqinjin verior, Eritrea-n.

Të drejtat e njeriut u përkeqësuan gjatë kësaj kohe, me grupet e opozitës që ankoheshin për persekutim dhe korrupsion, gjë që shkaktoi pakënaqësi publike në rritje.

Abiy Ahmed-kryeministër

Në fillim të vitit 2018, pas disa vitesh protestash të shpeshta antiqeveritare nga grupe të ndryshme etnike që kishin dëmtuar rëndë legjitimitetin e qeverisë EPRDF, Hailemariam dha dorëheqjen.

EPRDF-ja zgjodhi Abiy Ahmed, nga grupi etnik Oromo, si pasues të tij dhe ai u zgjodh shpejt kryeministër. Ahmed, një politikan jo-tygrayan me pak lidhje me TPLF-në, gëzonte popullaritet të gjerë.

Ai rrëzoi shumë zyrtarë tigrayan, akuzoi disa për korrupsion dhe paraqiti një sërë reformash politike që mënjanuan TPLF-në.

Në fund të vitit 2019, Abiy shpërndau qeverinë e koalicionit EPRDF dhe u zhvendos për të krijuar Partinë e re të Prosperitetit (PP). Duke refuzuar të bashkohej me grupin, TPLF-ja u kthye në fortesën e saj.

Kryeministri i Etiopisë,  Abiy Ahmed.
Si nisi konflikti?

Konflikti filloi më 4 nëntor, kur Kryeministri etiopian Abiy Ahmed urdhëroi një ofensivë ushtarake kundër forcave rajonale në Tigray.

Ai tha se e bëri këtë në përgjigje të një sulmi ndaj një baze ushtarake që strehonte trupat qeveritare atje.

Shkallëzimi erdhi pas disa muajsh grindje midis qeverisë së Abiy-it dhe drejtuesve të TPLF-së.

Pas sukseseve të hershme, duke përfshirë kapjen e kryeqytetit të Tigray, Mekelle, ushtria etiopiane e mbështetur nga trupat eritreane dhe forcat e Amhara-s u bllokuan në luftimet me rebelët e TPLF-së.

Zgjedhjet në Etiopi, 21 qershor 2021.

Në korrik forcat e Tigray-s morën Mekelle-n.

Të gjitha palët në konflikt janë akuzuar për kryerjen e vrasjeve masive dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Qeveria e Abiy-t në Addis Ababa ka refuzuar të negociojë me udhëheqësit e TPLF-së dhe e ka klasifikuar grupin si një organizatë terroriste.

TPLF-ja ka kërkuar që ata duhet të njihen si qeveria legjitime në Tigray para se të pranojnë çdo armëpushim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore