Lajme

Konflikti në Tigray, Etiopi: Mbi 5 mijë rebelë vriten nga ushtria


Një luftëtar besnik i Frontit Çlirimtar të Popullit Tigray (TPLF)

Ushtria etiopiane, të dielën e 5 shtatorit, mendohet se ka vrarë më shumë se 5 mijë e 600 anëtarë të forcave rebele Tigray që po luftojnë në veri të vendit.

Një konflikt i përgjakshëm ka filluar që nga nëntori i vitit të kaluar, por deklarata e gjeneralit të lartë, Bacha Debele, nuk përcaktoi afat kohor për viktimat. Korrespondentët thonë se ata mund të jenë nga betejat e fundit.

Gjenerali shtoi më tej se 2 mijë e 300 rebelë të tjerë ishin plagosur dhe 2 mijë tjerë ishin kapur. Ndërsa miliona civilë janë duke u përballur me krizën e urisë për shkak të konfliktit. Kjo e fundit sipas një raporti të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Gjeneral Lejtnant Debele akuzoi kryengritësin e Frontit Çlirimtar të Popullit Tigray (TPLF) se po përpiqej të shpërbëjë Etiopinë, pasi grupi bëri inkursione në rajonet fqinje Amhara dhe Afar.

Një divizion i TPLF-së ishte përpjekur të merrte kontrollin e Humera-s në kufirin midis Tigray dhe Amhara, tha ai, por ishte “shkatërruar plotësisht”.

Nga ana tjetër nuk ka pasur asnjë përgjigje nga TPLF-ja ndaj pretendimeve të qeverisë.

Lufta filloi vitin e kaluar pas disa muajsh grindje mes qeverisë së kryeministrit Abiy Ahmed dhe udhëheqësve të TPLF – partia kryesore politike në rajonin Tigray.

Presidenti dërgoi trupa në Tigray për të përmbysur qeverinë rajonale pasi akuzoi TPLF-në se fshihej pas disa sulmeve në kampet ushtarake.

Mijëra njerëz mendohet se janë vrarë dhe miliona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, me disa që kanë ikur në Sudan.

Të dyja palët janë akuzuar për kryerjen e mizorive, përfshirë përdhunimin dhe vrasjet masive të civilëve.

Të premten, OKB-ja akuzoi qeverinë për bllokimin efektiv të ndihmave në Tigray, duke paralajmëruar se miliona jetë po viheshin në rrezik.

OKB -ja vlerëson se 5.2 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente për të shmangur “situatën më të keqe të urisë në botë në dekada”.

Por të shtunën, qeveria etiopiane tha se 500 kamionë me ndihmë kishin hyrë në rajon, përfshirë 152 në dy ditët e fundit. Numri i pikave të kontrollit të sigurisë ishte zvogëluar.

Nuk ka pasur verifikim të pavarur të këtij pretendimi. OKB-ja ishte ankuar se asnjë kamion nuk kishte arritur në Tigray që nga 22 gushti.

Si nisi konflikti?

Konflikti filloi më 4 nëntor, kur Kryeministri etiopian Abiy Ahmed urdhëroi një ofensivë ushtarake kundër forcave rajonale në Tigray.

Ai tha se e bëri këtë në përgjigje të një sulmi ndaj një baze ushtarake që strehonte trupat qeveritare atje.

Shkallëzimi erdhi pas disa muajsh grindje midis qeverisë së Abiy-it dhe drejtuesve të TPLF-së.

Pas sukseseve të hershme, duke përfshirë kapjen e kryeqytetit të Tigray, Mekelle, ushtria etiopiane e mbështetur nga trupat eritreane dhe forcat e Amhara-s u bllokuan në luftimet me rebelët e TPLF-së.

Në korrik forcat e Tigray-s morën Mekelle-n.

Të gjitha palët në konflikt janë akuzuar për kryerjen e vrasjeve masive dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Qeveria e Abiy-t në Addis Ababa ka refuzuar të negociojë me udhëheqësit e TPLF-së dhe e ka klasifikuar grupin si një organizatë terroriste.

TPLF-ja ka kërkuar që ata duhet të njihen si qeveria legjitime në Tigray para se të pranojnë çdo armëpushim.

Bazat në Tigray 

Etiopia është e ndarë në dhjetë shtete rajonale të përcaktuara mbi baza etnike dhe të përshkruara kryesisht autonome, por me institucione qendrore.

Në vitin 2018, pas protestave anti-qeveritare, Abiy Ahmed mori detyrën e Kryeministrit dhe prezantoi reformat.

Politikanët e fuqishëm nga Tigray, shteti në veri të Etiopisë, e akuzuan Abiy-n për përpjekjen për të rritur fuqinë federale.

Marrëdhëniet u përkeqësuan dhe, pasi qeveria akuzoi rebelët tigraian për sulmimin e bazave ushtarake, ushtria etiopiane u zhvendos atje në nëntor.

Abiy deklaroi konfliktin në fund të nëntorit, por luftimet vazhduan dhe u rritën përpara zgjedhjeve kombëtare më 21 qershor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore