Lajme

Konflikti në Etiopi, mijëra banorë drejt krizës së urisë


Zyrtarët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se 400 mijë banorë në rajonin Tigray, Etiopi, janë drejt një krize urie pasi lufta e fundit ka pushtuar vendin.

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së shtuan se deri në 33 mijë fëmijë janë të kequshqyer.

Shefi i ndihmës humanitare i OKB-së i tha anëtarëve të Këshillit të Sigurimit në një takim në New York se situata në Tigray ishte përkeqësuar në mënyrë dramatike javët e fundit.

Rajoni po përjetonte “situatën më të rëndë të urisë që kemi parë në dekada”, tha Ramesh Rajasingham.

“Afër 5.2 milionë njerëz ende kërkojnë ndihmë humanitare – shumica e tyre gra dhe fëmijë”, shtoi ai.

Nga ana tjetër qeveria etiopiane i ka mohuar akuzat se po bllokon ndihmat pasi rebelët tigraian morën kontrollin e një pjese të rajonit verior më parë këtë javë.

Zyrtarët thanë më tej se 1.8 milionë njerëz ishin në prag të urisë si rezultat i konfliktit tetë-mujor.

Gjithashtu ata paralajmëruan për përplasje të mëtejshme pavarësisht nga shpallja e një armëpushimi.

Qeveria etiopiane, e cila ka luftuar forcat rajonale në Tigray, shpalli një armëpushim të njëanshëm të hënën.

Sidoqoftë, rebelët u zotuan të dëbojnë “armiqtë” e tyre nga rajoni dhe ka pasur njoftime për përplasje sporadike ndërsa ndërkombëtarët bëjnë thirrje që të gjitha palët në konflikt të tërhiqen.

Luftimet midis Frontit të Çlirimit të Popullit Tigray (TPLF) dhe forcave qeveritare tashmë kanë lënë të vdekur mijëra njerëz dhe më shumë se 2 milionë njerëz janë zhvendosur.

Të gjitha palët në konflikt janë akuzuar për kryerjen e vrasjeve masive dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Të premten, disa mijëra ushtarë etiopianë të kapur kaluan nëpër rrugët përmes kryeqytetit rajonal të Tigraya-s, Mekelle.

Bazat në Tigray 

Etiopia është e ndarë në dhjetë shtete rajonale të përcaktuara mbi baza etnike dhe të përshkruara kryesisht autonome, por me institucione qendrore.

Në vitin 2018, pas protestave anti-qeveritare, Abiy Ahmed mori detyrën e Kryeministrit dhe prezantoi reformat.

Politikanët e fuqishëm nga Tigray, shteti në veri të Etiopisë, e akuzuan Abiy-n për përpjekjen për të rritur fuqinë federale.

Marrëdhëniet u përkeqësuan dhe, pasi qeveria akuzoi rebelët tigraian për sulmimin e bazave ushtarake, ushtria etiopiane u zhvendos atje në nëntor.

Abiy deklaroi konfliktin në fund të nëntorit, por luftimet vazhduan dhe u rritën përpara zgjedhjeve kombëtare më 21 qershor.

Shefja e çështjeve politike të OKB-së, Rosemary DiCarlo, tha se do të ketë përplasje të mëtejshme midis forcave Forcave të Mbrojtjes Tigray (TDF) dhe trupave etiopiane, të mbështetura nga ushtarë eritrean dhe forcat rajonale Amhara.

“Ka potencial për më shumë konfrontime dhe një përkeqësim të shpejtë të situatës së sigurisë që është jashtëzakonisht shqetësuese”, tha ajo duke iu bërë thirrje palëve për armëpushim.

Luftimet filluan nëntorin e kaluar, kur rebelët refuzuan reformat politike dhe kapën bazat e ushtrisë. Forcat qeveritare zaptuan kryeqytetin Mekelle, më vonë atë muaj.

Sipas zyrtarëve të OKB-së, pas një ofensive të shpejtë, rebelët rimorën Mekelle-n dhe në fillim të kësaj jave hynë në qytetin e Shire-s, rreth 140 km (90 milje) në veri-perëndim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore