Lajme

Konflikti në Tigray, Etiopi: Kryeministri zotohet të udhëheqë nga fronti i luftës


Njerëzit mblidhen pas një pankarte që tregon kryeministrin Abiy Ahmed në një tubim të organizuar nga autoritetet lokale për të treguar mbështetje për Forcën e Mbrojtjes Kombëtare Etiopiane (ENDF), në sheshin Meskel në qendër të qytetit Addis Abeba, Etiopi të dielën, 7 nëntor 2021.

Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, të martën e 23 nëntorit ka deklaruar se do të shkojë vetë në vijën e frontit për t’u përballur me rebelët në luftën civile të vendit prej më shumë se një viti.

“Duke filluar nga nesër, unë do të mobilizohem në front për të udhëhequr forcat e mbrojtjes”, tha Abiy.

Më tej ai shtoi se, “ata që duan të jenë mes fëmijëve etiopianë, të cilët do të përshëndeten nga historia, ngrihen sot për vendin tonë. Le të takohemi në front”.

Deklarata e tij, e publikuar në mediat sociale të hënën në mbrëmje, erdhi pasi kishte raportime se forcat rebele të e Frontit Çlirimtar të Popullit Tigray (TPLF) thanë se po përparonin në të paktën katër fronte, drejt Addis Ababa.

Kryeministri i Etiopisë Abiy Ahmed.

Me një gjuhë të ashpër, duke përdorur fjalë si “sakrificë”, Ahmed la të kuptohej se ekzistenca e vendit ishte në rrezik. Lufta civile me rebelët nga veriu ka çuar në një krizë humanitare.

Mijëra kanë vdekur, miliona janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre dhe qindra mijëra po përballen me kushte të ngjashme me urinë në rajonin Tigray.

Zëdhënësi i TPLF-së, Getachew Reda, ka hedhur poshtë deklaratën e Abiy-it duke thënë se, “forcat tona nuk do të heqin dorë nga përparimi i tyre i paepur drejt përmbysjes së pushtetit të Abiy-it mbi popullin tonë”.

Në themel të konfliktit është një mosmarrëveshje midis kryeministrit Abiy dhe TPLF-së, e cila për gati 27 vjet dominoi të gjithë vendin, jo vetëm në Tigray.

Anëtarët e kapur të Forcave të Mbrojtjes Kombëtare Etiopiane nga Forcat Tigray nëpër rrugë drejt burgut ndërsa qindra banorë shikojnë, në Mekele, në rajonin Tigray të Etiopisë veriore.

Abiy erdhi në pushtet në vitin 2018 dhe në një vorbull reformash, në të cilën ai liberalizoi politikën dhe bëri paqe me armikun prej kohësh, Eritrea-n, TPLF-ja u mënjanua.

Mosmarrëveshja e zjarrtë midis TPLF-së dhe Abiy-t shpërtheu më pas në luftë 12 muaj më parë, kur forcat tigrayane u akuzuan se sulmuan bazat e ushtrisë për të vjedhur armë dhe qeveria federale u përgjigj.

Kush janë luftëtarët e Tigray-t

Në mesin e viteve 1970, një grup i vogël milicianësh themeluan TPLF-në. Me një ideologji nacionaliste të krahut të majtë, ata u zotuan se do të luftonin për të drejtat e tigrayanëve – një grup relativisht i vogël etnik që përbën vetëm 5% të popullsisë – dhe ishte margjinalizuar prej kohësh nga qeveria qendrore.

Gjatë viteve 1980, TPLF-ja u shfaq si “sfiduese e frikshme” e diktaturës së atëhershme ushtarake marksiste të Etiopisë. Grupi udhëhoqi një aleancë të organizatave të milicisë, Fronti Demokratik Revolucionar Popullor Etiopian (EPRDF), që përmbysi regjimin e mbështetur nga Bashkimi Sovjetik në 1991-shin.

Refugjat Tigrayan në Hamdayet, Sudanin lindor, pranë kufirit me Etiopinë, më 21 mars 2021.

Aleanca më pas filloi të drejtonte Etiopinë nën një sistem federal, me TPLF-në që mbante pushtetin mbi grupet e tjera dhe dominonte politikën për gati tre dekada.

Qeveria e EPRDF-së e udhëhoqi vendin përmes thatësirës dhe urisë periodike, dhe luftës kufitare 1998-2000 me fqinjin verior, Eritrea-n.

Të drejtat e njeriut u përkeqësuan gjatë kësaj kohe, me grupet e opozitës që ankoheshin për persekutim dhe korrupsion, gjë që shkaktoi pakënaqësi publike në rritje.

Abiy Ahmed-kryeministër

Në fillim të vitit 2018, pas disa vitesh protestash të shpeshta antiqeveritare nga grupe të ndryshme etnike që kishin dëmtuar rëndë legjitimitetin e qeverisë EPRDF, Hailemariam dha dorëheqjen.

EPRDF-ja zgjodhi Abiy Ahmed, nga grupi etnik Oromo, si pasues të tij dhe ai u zgjodh shpejt kryeministër. Ahmed, një politikan jo-tygrayan me pak lidhje me TPLF-në, gëzonte popullaritet të gjerë.

Ai rrëzoi shumë zyrtarë tigrayan, akuzoi disa për korrupsion dhe paraqiti një sërë reformash politike që mënjanuan TPLF-në.

Në fund të vitit 2019, Abiy shpërndau qeverinë e koalicionit EPRDF dhe u zhvendos për të krijuar Partinë e re të Prosperitetit (PP). Duke refuzuar të bashkohej me grupin, TPLF-ja u kthye në fortesën e saj.

Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed.
Si nisi konflikti?

Konflikti filloi më 4 nëntor, kur Kryeministri etiopian Abiy Ahmed urdhëroi një ofensivë ushtarake kundër forcave rajonale në Tigray.

Ai tha se e bëri këtë në përgjigje të një sulmi ndaj një baze ushtarake që strehonte trupat qeveritare atje.

Shkallëzimi erdhi pas disa muajsh grindje midis qeverisë së Abiy-it dhe drejtuesve të TPLF-së.

Pas sukseseve të hershme, duke përfshirë kapjen e kryeqytetit të Tigray, Mekelle, ushtria etiopiane e mbështetur nga trupat eritreane dhe forcat e Amhara-s u bllokuan në luftimet me rebelët e TPLF-së.

Zgjedhjet në Etiopi, 21 qershor 2021.

Në korrik forcat e Tigray-t morën Mekelle-n.

Të gjitha palët në konflikt janë akuzuar për kryerjen e vrasjeve masive dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Qeveria e Abiy-t në Addis Ababa ka refuzuar të negociojë me udhëheqësit e TPLF-së dhe e ka klasifikuar grupin si një organizatë terroriste.

TPLF-ja ka kërkuar që ata duhet të njihen si qeveria legjitime në Tigray para se të pranojnë çdo armëpushim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore