Shqipëria

Lushnjë: Posedonin dhe shpërndanin drogë bien në prangat e policisë vëllezërit


Policia e Lushnjës të premten e 1 tetorit ka arrestuar në flagrancë dy vëllezër – njëri prej tyre i mitur – pasi posedonin dhe shpërndanin lëndë narkotike.

Përkatësisht janë arrestuar O. Ç., 25 vjeç dhe V. Ç., 16 vjeç, banues në fshatin Fier i Ri, Lushnjë.

Gjatë kontrollit të banesës atyre iu gjetën 6.8 kg lëndë narkotike cannabis sativa, një pjesë e të cilës ishte e ndarë në doza gati për shitje.

Gjithashtu policia gjeti një peshore elektronike që shërbente për ndarjen e lëndës narkotike në doza, një granatë defensive me detonator të montuar, një bajonetë armë zjarri, një përforcues grushti, dy aparate celularë dhe një automjet tip “BMW”.

Të gjitha materialet e gjetura u sekuestruan nga policia në cilësinë e provës materiale.

Këto të fundit i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprime të mëtejshme procedurale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore