Lajme

Largimi i dënimit për Todosijeviçin – njëri nga 4 kushtet e Serbisë për vazhdim të dialogut


Rruga e bllokuar në Jarinjë

Njëri nga katër kushtet e Serbisë që të vazhdohet dialogu me Kosovën në Bruksel është që të lagrohet dënimi ndaj ish-ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL) Ivan Todosijeviç, pasi ky i fundit është dënuar me dy vite burgim për deklaratat fyese për masakrën e Reçakut.

Gazeta serbe Novosti e afërt me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shkruan se “vendimi skandaloz kundër Ivan Todosijeviçit sepse ai tha të vërtetën për Raçakun, jo vetëm që hapi një “gjueti për serbët” për shkak të fjalës së folur, por gjithashtu tregoi një pikë tjetër të marrëveshjes së Brukselit që Prishtina nuk e respekton”.

“Përkatësisht, në panelin apelues prej tre anëtarësh që gjykoi Todosijeviçin, dy gjyqtarë duhej të ishin serbë, gjë që nuk ishte kështu sepse – Prishtina po shkel marrëveshjen e Brukselit”, shkruan Novosti.

Të mërkurën, Albanian Post raportojë se Vuçiç pas takimit me ambasadorët e QUINT-it, ka thënë se meqë Kurti po do realizim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, atëherë edhe qeveria serbe do pikërisht të njëjtën dhe të bëhet sa më parë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serb, meqë edhe ky është një pajtim i nënshkruar në Bruksel.

Akeksandër Vuçiç, President i Serbisë

Kërkesa tjetër e palës serbe është që Kosova të mos dërgojë forca të Policisë me armatim të rëndë në veri pa lejen e KFOR-it dhe që të formohen dy kompani serbe për shpërndarje të rrymës për serbët në veri.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ambasadorët e QUINT-it të mekurën, derisa në një konferencë për media ka ftuar edhe një herë serbët të zhbllokojnë rrugët që çojnë në dy pikat kufitare, 1 dhe 31, në Jarinjë dhe Bërnjak, ndërsa pati një thirrje edhe për institucionet komunale në veri.

“I ftoj kryetarët e komunave që të tërheqin automjetet e institucioneve komunale nga rruga. Ftoj edhe serbët të tërhiqen pasi e kanë bllokuar veten dhe lëvizjen e tyre”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ndërkaq Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se është “shumë i shqetësuar” nga zhvillimet në Kosovë, derisa ka njoftuar se në vazhdimësi ka pasur telefonata me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti,  dhe Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

“Dy ditët e vizitës (në Beograd) i kalova në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Besnik Bislimin dhe në takime me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe shefin e Serbisë për negociata Petar Petkoviç, për të diskutuar zgjidhjet potenciale për situatën aktuale”, shkruan Lajçak në llogarinë e tij në Facebook.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Që nga orët e hershme të mëngjesit të 20 shtatorit, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Speciale Operative është vendosur në pikë kalimin e vjetër kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje të komunës së Leposaviçit, për të filluar reciprocitetin e targave.

Të gjitha veturat që deri më tani kanë pasur targa të Serbisë, duhet t’i zëvendësojnë ato me “RKS”, targa të Republikës së Kosovës”, nëse duan të qarkullojnë brenda vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore