Lajme

Brenda takimeve me QUINT’in – duke testuar “teorinë e lojës” në Veri


Ilustrim

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, njoftoi se ka biseduar vazhdimisht në telefon me Albin Kurtin, në të njëjtën kohë është takuar me Aleksandër Vuçiç-in sa ishte në Beograd dhe si përfundim tregoi se është “shumë i shqetësuar”.

Në gjuhën diplomatike “shumë i shqetësuar” i Lajçakut nënkupton se nuk ka – ose ende nuk ka – një rrugëdalje nga problemi i krijuar në Veri.

Zgjidhja nuk u duk gjëkundi as pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me ambasadorët e QUINT-it.

Zyrtarisht, pothuajse asgjë nuk doli nga ky takim.

Komunikata për shtyp e lëshuar nga qeveria ishte e thatë, por burime të Albanian Post brenda takimit bëjnë me dije se kryeministri u ka thënë ambasadorëve se ai i largon forcat speciale nga Veriu vetëm nëse merr garanci paraprake se do të ketë trajtim të njëjtë – ose tabela të përkohshme në të dyja anët, ose kalim me tabela për të dyja palët.

Sipas burimit të AP-së, Kurti u ka shpjeguar ambasadorëve se pa njësinë speciale në Jarinje dhe Bërnjak është i pamundur implementimi i masës për targat, prandaj po s’u arrit dakordim paraprak, largimi i tyre s’është i mundur.

“Merruni me Vuçiç-in dhe jo me mua”, është një parafrazim i burimit për Kurtin në takim me ambasadorët.

Në anën tjetër, takim me ambasadorët e QUINT-it kishte edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Burime të Albanian Post bëjnë me dije se Vuçiç ka thënë se meqë Kurti po do realizim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, atëherë edhe qeveria serbe do pikërisht të njëjtën dhe të bëhet sa më parë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serb, meqë edhe ky është një pajtim i nënshkruar në Bruksel.

Vuçiç, sipas burimit, ka thënë se “Albini po e bën këtë për vota”, prandaj do që t’i fitojë zgjedhjet një herë dhe më pas t’i tërheq trupat, por këtë nuk do e pranojë Serbia.

Ai, njoftohet t’u ketë thënë ambasadorëve, se është gati për gjithçka, madje, siç është shprehur, edhe për “poshtërimin e policëve të Kosovës”.

Vuçiç është munduar ta paraqesë këtë si diçka që Kurti po e kërkon dhe jo ai.

“Policët nuk kanë ardhur për luftë, por këtë po e kërkon Albini”, njoftohet të ketë thënë Vuçiç.

“Me forcat speciale na kanë futur në rrugë qorre”, është një nga komentet që presidenti serb ua ka bërë ambasadorëve të shteteve të QUINT-it, duke shtuar se nuk pranon asgjë pa u tërhequr policët nga Jarinja dhe Bërnjaku.

Derisa Kurti do njëherë garanci për trajtim reciprok të barabartë e pastaj heqje të forcave speciale dhe Vuçiç kërkon të kundërtën, një herë largim të trupave e pastaj bisedë për zgjidhje, kjo është veçse një prelud se situata do mbetet e bllokuar edhe për një kohë.

Qëndrimet e ngurta të Kurtit dhe Vuçiç-it përbejnë atë që në marrëdhënie ndërkombëtare njihte si “teoria e lojës së pulës”, apo “loja skifter-pëllumb”.

Parimi i lojës është që njëra palë mban qëndrim të ngurtë, derisa shpreson në lëshimin e palës tjetër dhe pala tjetër me çdo kusht eviton lëvizjen nga qëndrimi, sepse nuk dëshiron të duket “si pulë”.

 

Situata në terren

Derisa politika matë forcat në distancë, në terren njësitet speciale të policisë vazhdojnë të qëndrojnë në një pozicion të pafavorshëm. Në njërën anën është kufiri me Serbinë dhe në anën tjetër rruga e bllokuar me kamionë të serbëve protestues që po qëndrojnë aty të grumbulluar.

Meqë policia kohë pas kohe duhet të bëjë ndërrimin e pjesëtarëve dhe të furnizohet me ushqime, rruga e vetme për këtë mbetet mespërmes barrikadave të vendosura dhe turmave të protestuesve të zemëruar.

Policët, të armatosur rëndë, derisa kalojnë barrikadat, durojnë sharjet dhe fyerjet e protestuesve serbë të cilët qëndrojnë krejt afër tyre. Kjo u ndodhë dy herë në ditë.

Protestuesit serbe ne Jarinje

Ata, sipas informacioneve që AP ka brenda policisë, kanë kërkuar një zgjidhje, duke prezantuar edhe një plan se si do të mund të largonin protestuesit dhe ta zhbllokonin rrugën.

Por, në frikë të eskalimit të situatës, qeveria i ka lënë në “stand by”, duke shpresuar në gjetjen e një rrugëdalje politike – e cila nuk duket askund.

 

Testi i madh për Albin Kurtin

Imer Mushkolaj, gazetar dhe opinionist, beson se qeveria e ka, ose të paktën do të duhej ta ketë, “në aspektin e frymës strategjike edhe opsionin B dhe kështu me radhë”.

“Nuk mjafton vetëm t’i dërgosh forcat speciale në veri ndërkohë që nuk e ke idenë ose mund të mos e kesh idenë se sa ato forca kanë nevojë të qëndrojnë atje”, deklaron ai për Albanian Post.

Për Mushkolajn është e pakuptueshme nëse qeveria ia ka lënë “fatit”, realizimin e aksionit deri në fund.

Imer - Lajmet e fundit - ArenaMedia & Production - ArenaMedialeTV
Imer Mushkolaj, gazetar

Mushkolaj e konsideron një test të vështirë për kryeministrin Kurti situatën aktuale, meqë “veprimet janë kryer” tashmë.

“Vetë ideja që qeveria i ka dërguar forcat speciale nënkupton se nuk është një test i lehtë për shkak se ka të bëjë me dinjitetin e Policisë së Kosovës, ka të bëjë me dinjitetin e shtetit të Kosovës”.

Ndërsa atë që raportohet se Vuçiç u ka thënë ambasadorëve të QUINT-it në takim, e ka parashikuar edhe profesori i Shkencave Politike, Belul Beqaj.

“Besoj se si pjesë e zgjidhjes do të jetë insistimi i Serbisë për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thotë Beqaj në një prononcim për Albanian Post.

Belul Beqaj, profesor

“Këtë detyrim Qeveria e Kosovës duhet të trajtoj seriozisht”, thotë ai, ndryshe realizohet skenar i “formimit të shteteve etnike qe do të krijojë pasoja regjionale”.

Kurse, një ish-dialogues i shpeshtë në Bruksel dhe ish-ministër i Integrimeve, Bekim Çollaku, veprimin e Kurtit për targat e ka parë si një vetëdijesim të kryeministrit, i cili procesin që dikur e kritikonte, tash e ka kuptuar se qe i drejtë.

“Qeveria e Republikës se Kosovës duhet vazhdoj me zbatimin në praktikë të kësaj dhe marrëveshjeve tjera teknike te arritura në Bruksel, për të cilat po bindet edhe vet më në fund se kanë qenë në përputhje me ligjet dhe interesin shtetëror të Kosovës”.

Çollaku s’befasohet nga reagimi i Serbisë, thotë se është në rolin e natyrshëm të këtij shteti të “politizoj dhe tensionoj situatën duke përdorur dhe nxitur qytetaret kosovare të komunitetit serb që jetojnë në veri të vendit”.

Kosovo's independence is irreversible” says Bekim Çollaku
Bekim Collaku, ish-minister

Kush e parashikon fundin?

Askush.

Situata është e ngrirë, njëjtë si zhavorri që ka barrikaduar rrugën afër policisë në Jarinje. Potencialiteti për shpërthim vazhdon të jetë spektator i vëmendshëm.

Polici i njesise speciale duke patrulluar ne Jarinje

Derisa policët lëvizin mes kamionëve të palëvizshëm në rrugë dhe protestuesve fjalëfyes për të respektuar një vendim të drejtë të qeverisë për reciprocitet, shkëndija e konfliktit është aq larg sa një pjesëtar i policisë pak më shumë i zemëruar, nga ofendimet e vazhdueshme, se kolegët e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore