Shqipëria

Kuvendi shpall vakancën pas largimit të Bllakos, plotësimi i kalon KQZ-së


Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Ermonela Felaj, ka shpallur vakancën pas largimit të deputetit Alqi Bllako nga parlamenti shqiptar.

Punimet e seancës plenare të 31 marsit nisën pikërisht me këtë deklaratë.

Sipas Felajt, tanimë i hapet rruga për plotësimin e kësaj vakance, institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në një letër të dërguar kreut të SPAK-ut Arben Kraja, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, deklaronte se rruga ligjore është e hapur që Bllako të arrestohet nga organet kompetente.

Kjo, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Zyrtarisht nga 30 marsi Alqi Bllako, nuk është më deputet i Parlamentit të Shqipërisë dhe rrjedhimisht, nuk mund të gëzojë imunitet.

Për shkak se vetë Bllako ka hequr dorë nga mandati, mbledhja sipas arsyetimit të kryeparlamentares, nuk ka qenë më e nevojshme për t’u zhvilluar.

Këtë vendim, e kanë kundërshtuar disa deputetë nga radhët e Partisë Demokratike.

Këta të fundit kanë kërkuar gjithsesi kryerjen e mbledhjes.

Mirëpo, kjo kërkesë nuk është pranuar nga strukturat e Kuvendit.

Tashmë, pritet vetëm arrestimi i Bllakos me kërkesën e SPAK.

Majko

Vendin e Bllakos pritet ta okupojë ish-kryeministri socialist, Pandeli Majko.

Në pikën 2 të nenit 164 të Kodit Zgjedhor thuhet se “Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse, përveçse kur plotësimi i vakancës me kandidatin e radhës ul përfaqësimin e gjinisë së nënpërfaqësuar”.

PS-ja fitoi 18 deputetë në qarkun e Tiranës.

Majko ishte i 19-ti në listë pa mundur të marrë mandatin, ndërsa Bllako renditej i 17-ti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore