Lajme

Kusari: Serbia në asnjë moment s’ka treguar gatishmërinë për ta njohur Kosovën, përveç nëse shkëmbi territorial kthehet në tavolinë


Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Serbia ka krijuar qasjen që gjithmonë të marrë diçka nga Kosova.

Sipas saj edhe tani nëse në tavolinë do të paraqitej shkëmbi territorial, Serbia do ta njihte shtetin e Kosovës.

“Serbia në asnjë moment dhe në asnjë fazë nuk e ka treguar gatishmërinë e vet për ta njohur Kosovën, përveç një rasti që edhe sot nuk e fshehin kur është diskutuar shkëmbi territorial edhe sot nëse shkëmbi terriotorial kthehet në tavolinë midis Kosovës dhe Serbisë, Serbia është e gatshme të thotë se e njoh Kosovën për arsyeje se morra diçka”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila, ka thënë se një qasje e tillë jo vetëm që ka qenë e gabuar por ka qenë edhe “e rrezikshme”.

“Kjo ishte përshtypja që ishte krijuar në vazhdimësi në kompensim të diçkaje që duhet t’i jepet Serbisë, për këtë njohje dhe kjo që ka qenë një qasje e gabuar, por ka qenë tepër e rrezikshme jo vetëm për dy vendet por për tërë Ballkanin dhe si e tillë tashmë as nuk diskutohet dhe as nuk trajtohet”.

Ajo tutje ka sqaruar se marrëveshja paraqet subjektivitet të plotë në mes dy vendeve.

“Një proces i cili tashmë ka kaluar pashmangshëm e me një qasje të drejtpërdrejtë është barazi. Palëve u drejtohen me emrat e shteteve Kosova dhe Serbia. Marrëveshja paraqet subjektivitetin e plotë të dy shteteve. Ky është një argument i rëndësishëm për procedimin e mëtutjeshëm të zbatimit të marrëveshjes. Në Ohër pos që ka marrë Kosova obligime ka marrë edhe Serbia”.

Ndërsa, ka shtuar se procesi i dialogut ka pasur veprim të ngushtë që nga viti 2013.

“Ajo që është e pakontestueshme është që ky është një proces që ka pasur korniza tepër të ngushta të veprimit duke e pasur parasysh që ka filluar në vitin 2013”.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës është duke vazhduar diskutimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe opozitës për takimin e mbajtur në Ohër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore