Lajme

Kurti pranon se rregullorja e BQK-së s’u prezantua siç duhet: Tranzicioni të mos përdoret për përfitime politike


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një komunikate për media e lëshuar fillimisht në gjuhën angleze e më pastaj në gjuhën shqipe, ka sqaruar pozicionin e Qeverisë së Kosovës në raport me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës si dhe iu është përgjigjur kërkesave të komunitetit ndërkombëtar që vendimi në fjalë të mos zbatohet në terren për një kohë deri sa kjo çështje të sqarohet.

Kurti ka pranuar se ka pasur mungesë të prezantimit adekuat të rregullores së re të BQK-së që ka krijuar konfuzion sidomos te komuniteti serb, i cili është ndikuar më së shumti nga ky vendim, gjë për të cilën reagoi edhe komuniteti ndërkombëtar.

“Edhe pse rregullorja ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, ne e pranojmë se nevojitet një periudhë tranzicioni. Gjatë këtij muaji, ne do të sigurohemi që të ofrojmë të gjithë informacionin dhe ndihmën e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i qetë. Në vazhdim, ne gjithashtu zotojmë të nxisim fushatat e komunikimit që trajtojnë këto çështje me ndjeshmërinë që meritojnë”.

Megjithatë ai ka potencuar se periudha e tranzicionit të cilën po e mundëson Qeveria e Kosovës nuk duhet të keqinterpretohet.

“Pasiguria e shkurtër e hasur gjatë kësaj periudhe nuk duhet të përdoret për përfitime politike. Kjo periudhë ndryshimi vështirësohet jo me zërat e komunitetit serb këtu, por me ndihmën e frikësimit, kur ne, në fakt, duhet të tregojmë maturi dhe qetësi”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Kurti.

Rregullorja e BQK-së, sipas Kurtit, nuk synon targetimin e valutës shtetërore të Serbisë, dinarit, por rregullimin e fluksit të valutave të huaja brenda territorit të Kosovës, meqë mungesa e një rregullimi të tillë mund të “çojë në pastrim parash, financim të terrorizmit dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme”.

“Banka Qendrore me të drejtë ka kërkuar që të zyrtarizohen transaksionet informale që ndodhin në dinarë serbë; prandaj ekzistenca dhe vazhdimi i tyre kishte qenë i paligjshëm. Monedha zyrtare e Kosovës është euro dhe rregullorja vjen gati gjashtëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë”, ka theksuar Kurti në komunikatën për media.

Sipas Kurtit vendimi i BQK-së lejon që serbët e Kosovës në praktikë të pranojnë pagesa nga Serbia, por ato duhet të depozitohen në llogaritë e tyre në euro.

“Pothuajse 35 për qind e komunitetit serb në Kosovë marrin pensione nga qeveria jonë në llogari në euro. Pensionet që ata marrin nga Serbia mund të transferohen në të njëjtat llogari si plotësuese dhe jo si zëvendësim për skemat ekzistuese të përfitimeve. Përveç degëve zyrtare të bankave, janë pesëmbëdhjetë institucione financiare ku mund të paguhen pensionet nga Serbia, në mungesë të llogarive bankare”, është sqaruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore